21.5 milionë euro Kastratit, tenderi fiktiv i qeverisë për monopolin e naftës

Shoqëria aksionere “Kastrati” fitoi një tender fiktiv që i jep të drejtë ekskluzive të furnizojë qeverinë me karburant për 3 vitet e ardhshme. Qeveria Rama do blejë karburantin me shumicë me përreth 180 lek për litër, me pothuajse të njëjtin çmim që e blejnë konsumatorët te pompa e karburantit. Tenderi u zhvillua më 12 shtator, nga Ministria e Brendshme dhe konsiderohet nga ish-deputeti Shehu, si tenderi më i madh për blerje karburantit në historinë e shtetit shqiptar: 21.5 milionë euro për blerje kaburanti për tre vjet u tenderuan në tre lote.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara nën varësinë e Ministrit të Brendshëm ka zhvilluar një numër prokurimesh për blerje karburanti, por me fond shumë herë më të vogël. Procedura e tenderimit detyron që blerjet të bëhen vetëm te kompania me të cilën lidhet kontrata. Në të tre lotet morën pjesë dy kompani të njëjta, “Kastrati” dhe AT&T. Kjo e fundit u regjistrua në garë si mbulesë dhe nuk paraqiti asnjë ofertë dhe asnjë dokument.

Si rezultat, Kastrati i fitoi të tre tenderat automatikisht si i vetmi ofertues dhe në këtë mënyrë siguroi monopolin e furnizimit me karburant të gjithë shtetit shqiptar për të tre vitet e ardhshëm. Çmimi me të cilën u akorduan tenderat është skandaloz: çmimi i importit me shumicë plus një marzh fitimi prej 15,9%-17,9%, marzh fitimi disa herë më i lartë se ai i tregut.

Nisur nga çmimet e tanishme të importit, qeveria shqiptare po blen një litër naftë me 177,1 lekë. Aktualisht, kompanitë e karburanteve i furnizojnë konsumatorët e mëdhenj me çmim shumice prej 161-163 lekë për litër. Kjo do të thotë se shteti shqiptar po blen karburantin me çmim rreth 15 lekë për litër, ose 10 për qind me shtrenjtë se po ta blinte në tregun e lirë. Për blerjen me vlerë 21,5 milionë euro nga Kastrati Sh.a, qeveria do të paguajë mbi 2 milionë euro më shumë se sa po ta blinte karburantin direkt në treg, pa patur nevojë për tender dhe për garë.

Kastrati rezulton kompania kryesore furnitore e institucioneve publike me rreth 245 kontrata me vlerë 4.7 milionë euro. Ajo tashmë kryen furnizimin e automjeteve
të institucioneve dhe agjencive shtetërore, përfshi ministritë, policinë, drejtoritë dhe agjencitë e zhvillimeve bujqësore, hekurudhat, peshkimin, doganat.

Lini Nje Koment