Urgjentisht…

Nga Kastriot Islami

Tërmeti i djeshëm dhe të gjithë ato që kanë pasuar atë dje, mbrëmë, natën dhe sot kanë krijuar tmerr e panik në shumë nga qytetarët e vendit.

Pothuajse qytetarët shqiptarë e konsiderojnë tërmetin ‘më të madh që kanë përjetuar në jetën e tyre’; së paku ky është perceptimi i këtij brezi qytetarësh…

Kam takuar shumë qytetarë gjatë kësaj kohë: i) Dje shumica ishin të tmerruar e në panik duke mos ditur as se ku mund të flinin.. ii) Mbrëmë shumë qytetarë ndjeheshin të frikësuar… iii) Kurse sot shumica shfaqeshin në pritje se ç’mund të ndodhë, të pasigurtë e të mprirë…

Askush nuk di se cc’të bëjë dhe ku të drejtohet për hallin apo shqetësimin, as sot e as nesër dhe as në ditët në vijim…Janë të pasigurtë nga tërmeti por edhe të paqartë kujt mund ti drejtohen për asistencë…

Kjo ishte një ngjarje natyrore me pasoja për qytetarët… Natyrisht nuk mund të bëhet përgjegjës qeveria për këtë ngjarje natyrore, por mund të vijë shumë shpejt momenti kur qytetarët të bëjnë përgjegjëse qeverinë për gjithçka nuk po bën për të adresuar pasojat e kësaj ngjarjeje natyrore dhe përse nuk është angazhuar për të rritur sigurinë e qytetarëve në ditët në vijim…

Prandaj qeveria duhet URGJENTISHT të veprojë, përmes ngritjes apo angazhimit të një strukture të posaçme:

Së pari, për të evidentuar të gjithë dëmet e shkaktuara si dhe faturën përkatëse për të eliminimin e tyre; kjo duhet bërë kudo e për gjithçka:kopshte, shkolla, spitale, e ndërtesa të tjera publike por edhe shtëpi private, pallate….;

Së dyti, për të evidentuar dhe përcaktuar shkallën e dëmtimeve eventuale të ndërtesave që mundet të mos jenë shkatërruar apo që në pamje të parë nuk duken të pabanueshme por që mund të jenë dëmtuar në atë masë saqë edhe tërmete të tjerë, në ditët në vijim, shumë më  të lehtë se i pari, do të shkaktonin pasoja fatale për pasurinë dhe jetën e qytetarëve. Mbi këtë bazë duhen të përcaktohen/investigohen, përmes grupeve të ekspertëve ndërtues-sismologë, se cilat prej tyre nuk duhet të jenë të banueshme për shkak të paaftësisë për ti bërë ballë qoftë edhe tronditjeve të ardhshme shumë më të lehta apo që mund të rrëzohen edhe nga tronditje të lehta; ky është një moment shumë I rëndësishëm në mënyrë që tërmetet e ardhshëm, qpftë edhe më të lehtë apo më të dobët, mos të jenë shkatërrimtarë për pasurinë dhe fatalë për jetën e qytetarëve. Cilat prej tyre mund të riparohen për tu bërë të banueshme duke përcaktuar masat përkatëse dhe financimet e nevojshme. Dhe cilat prej tyre nuk kanë probleme dhe mund të vazhdojnë të përdoren pa rrezik.

Së treti, ndoshta në këtë rast është e domosdoshme edhe kërkesa ndaj vendeve partnere apo institucioneve ndërkombëtare, për një ekspertizë ndërkombëtare të specializuar.

Dhe së fundmi, është i nevojshëm në këto momente angazhimi në media i ekspertëve vendas e të huaj për qartësimin e qetësimin e qytetarëve…duke shmangur ndërkohë propagandën qeveritare dhe/ose debatet që mund të krijonin me shumë panik, pasiguri e frikë…

Përndryshe pasiguria e qytetarëve do të rritej….dhe mund të ishte me pasoja…

Lini Nje Koment