Provokimi Çek, Haradinaj braktis Samitin e Vishegradit

Provokimi Çek, Haradinaj braktis Samitin e Vishegradit

Kosova refuzon të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet të enjten në Pragë. Megjithëse mospjesmarrja është justifikuar zyrtarisht me axhendën parazgjedhore në vend, arsyesja duket se është qëndrimi i fundit politik i Çekisë ndaj Kosovës. Zëdhënësja e Qeverisë në largim, Donjeta Gashi, tha për mediet se, angazhimet elektorale e kanë pamundësuar pjesëmarrjen në samit të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.“Haradinaj e konsideron samitin e Vishegradit si një forum shumë të rëndësishëm, që kontribuon në proceset demokratike, bashkëpunimin dhe kultivimin e vlerave të larta evropiane dhe, për këtë arsye, Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë integrale dhe aktive e tij”, informoi  zëdhënësja e Kryeministrit. Por agjencia çeke e lajmeve CTK, ka raportuar se autoritetet e Kosovës e kanë anuluar pjesëmarrjen në samit për shkak të deklaratave të presidentit çek, Millosh Zeman, të bëra në Beograd.Kreu i shtetit çek, në një konferencë për media në Beograd, pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se  vendi i tij mund të tërheqë  njohjen ndaj Kosovës. “Shteti, i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”, ka deklaruar presidenti Zeman, në sinkronë me qëndrimin e Beogradit. Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të autoriteteve të larta të Çekisë. Kryetari i Senatit çek, Jaroslav Kubera, tha se ideja e presidentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës, është joreale.“Presidenti mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë ç’të dojë”. Do të ishte debat i madh për asgjë”, tha ai. Sipas tij, Zeman i bëri komentet e tilla vetëm për t’iu pëlqyer serbëve. Ndërsa ministri i Jashtëm çek në kohën kur është njohur Kosova, Karel Schëarzenberg,  ka theksuar se; “Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”.  Qëndrimin e papritur të presidentit çek, mediet në Kosovë e Çeki e kanë interpretuar edhe si zemërimqë i ka shkaktuar Kosova duke mundur Çekinëme rezultat 2:1, në kualifikimet për Kampionatin Evropian të Futbollit, të shtunën që lam pas.

 

Lini Nje Koment