Posta zbulon mashtrimin e Prokurorisë, PD tre pyetje organit të akuzës

Posta zbulon mashtrimin e Prokurorisë, PD tre pyetje organit të akuzës

Përmes një letre publike Partia Demokratike i adreson 3 pyetje Prokuroisë për të cilat kërkon përgjigje. “A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet konkrete që ngre Partia Demokratike .

Opozita kërkon transparencë mbi veprimet e organit të akuzës lidhur me dosjen Kajmaku, ndërsa e akuzon se ka mashtruar për gjurmën e gishtërinjve. Deklarata e prokurorisë se për shkak te ngatërresës së bërë nga posta njoftimi nuk kishte mbrritur në dorën e Agim Kajmakut është përgënjeshtruar nga shërbimi postar, I cili ka konfirmuar se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë.

Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. Ndërsa më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Kjo sipas PD-së duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike. Kështu shkruhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm  Gazment Bardhi për të marrë të gjithë dokumentacionin me veprimet e Prokurorisë për këtë çështje.

Bardhi shpreh bindjen se “çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të akuzës mbi këtë çështje, do të forconte  më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e  Arta Markut, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit. Sipas Partisë Demokratike zbatimi i urdhërave të Edi Ramës mund të tentojë të manipulojë të vërtetën, por asnjherë të pengojë që qytetarët shqiptar të njihen me të vërtetën.  Kështu shkruhet në kërkesën e Partisë Demokratike për të zbardhur veprimet e prokurorisë për çështjen e Agim Kajmakut, i cili ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit faktin se është arrestuar në Greqi dhe është akoma në kërkim atje për një krim që dënohet me 10 vjet burg.

Lini Nje Koment