Mbështetja amerikane, kryespekulimi i Ramës

Nga Red Varaku

Kryespekulimi kryesor i Ramës dhe i megafonëve të tij mediatikë, ka të bëjë me mashtrimin që lidhet me qëndrimet diplomatike apo deklaratave parimore të BE dhe SHBA, të cilat ai ia serviri popullit shqiptar si mbështetje për qëndrimet e tij.

Aq shumë u teprua në këtë pikë, sa që edhe duke ngrënë turshi me gjizë në sofrën e ndonjë fakir-hallexhiu , Rama ngrinte duart në formë lutje dhe falënderonte SHBA dhe BE për mbështetjen bujare që po i japin atij dhe Partisë Socialiste.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar se si mundet një kryeministër të gënjejë dhe të mashtrojë popullin e tij në një mënyrë kaq të pandershme dhe të pacipë.

Qëndrimi perëndimor ndaj kësaj krize është i qartë dhe i prerë dhe nuk ka lidhje me interesin e askujt. Qëndrimi i tyre lidhet vetëm me interesin e popullit shqiptar. Në këtë krizë të rëndë politike, prioritet i Perëndimit mbetet stabiliteti i vendit dhe mosthellimi i konfliktit, deri në përplasje civile.

Pas publikimit të përgjimeve nga BILD, situata po përkeqësohej dhe mund të degradonte në një konflikt civil. Edi Rama pabesisht kishte përcaktuar 30 Qershorin, si ditën e përplasjes fatale, me qëllimin e djallëzor tejkalimin e skandalit më të madh të historisë shqiptare të pluralizmit, skandalit të përgjimeve, duke prodhuar një ngjarje edhe më makabre.

Ishte pikërisht ky momenti, që e detyroi faktorin ndërkombëtar, dhe specifikisht atë amerikan të merrte një qëndrim të prerë për evitimin e një kasaphane. Ishte pikerisht ky momenti, kur përballë tyre u shpërfaq një përbindësh politik, që për pushtet ishte gati të bënte gjithçka.

Mënyra se si SHBA e menaxhuan këtë situatë për të shmangur konfliktin sigurisht nuk ishte romantike siç e prisnin ashikët e demokracisë . Me ndërhyrjen e tyre ata arritën që në datën 30 Qershor të mos ndodhte pothuajse asnjë incident. Ata arritën të fokusoheshin tek pika thelbësore e problemit, që është drejtësia dhe tek ruajtja e komunikimit me shkakun e problemit në vend që është paaftësia e qeverisë.

Për ata që vazhdojnë të mos e kuptojnë, qoftë nga naiviteti , qoftë nga padituria apo qoftë nga verbëria politike, çdo konfrontim i mundshëm i qeverisë shqiptare me qëndrimin amerikan, do të ndizte menjëherë luftë në Shqipëri. Dihet që shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë dhe që ata i besojnë shumë herë më tepër Amerikës se sa qeverisë së tyre. Kjo mund ta zhyste vendin menjëherë drejt luftës civile me pasoja të parikuperueshme.

Të gjithë duhet ta pranojmë, që Ramën e kemi peshqesh pikërisht nga mosprania e vigjilencës së SHBA-ve në rajon. Sepse, çdo humbje e ndikimit amerikan dhe perëndimor në përgjithësi mbi Shqipërinë, ka prodhuar gjithmonë përbindësha politikë. Kjo do të ishte një kosto shumë e rëndë pas gati 30 vjet demokraci të sponsorizuar kryesisht nga vetë Amerikanët.

Nuk është rastësi emërimi i z. Palmer si përfaqësues special i Amerikanëve në rajon. Nuk është rastësi rikthimi i Amerikanëve mbi rajon dhe kryesisht mbi qeverinë shqiptare. Mbështetja e fortë që ato po japin nëpërmjet shtimit të pranisë së tyre është garancia më e mirë për rikthimin e faktorit shqiptar në qendër të interesit amerikan, rol që Shqipëria e pati humbur me ardhjen e Ramës në pushtet, si dhe për nisjen e çmontimit të këtij regjimi kriminal.

Mathew Palmer, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, në një intervistë në Zërin e Amerikës , i dha fund retorikës së Ramës për një mbështetje amerikane, si dhe spekulimeve që u bënë dhe akoma vazhdojnë të bëhen me qëndrimin shumë të kujdesshëm diplomatik të tij në 28 Qershor, i cili krijoi një keqkuptim të madh publik duke dhënë përshtypjen e gabuar sikur SHBA-të mbështesin Ramën.

Reagimi i prerë SHBA dhe i BE në fund të Korrikut erdhi si pasojë e këtij spekulimi, pasi kryeministri filloi ta përdorë në interes të tij “mbështetjen amerikane”, jo vetëm për të sulmuar Presidentin, por dhe për të goditur Opozitën.

Në këtë krizë të rëndë politike, prioritet i Perëndimit sigurisht fillimisht mbetet stabiliteti i vendit dhe izolimi i konfliktit. Vetëm pasi situata të stabilizohet dhe konflikti të vendoset nën kontroll, atëherë mund të ndërhyet radikalisht për ta zgjidhur krizën.

Natyrisht ky është një objektiv më pak poetik se beteja për liri dhe demokraci, që aspirojnë njerëzit e zakonshëm, por ja që politika nuk është poezi dhe vetëm dëshirat për t’i bërë gjërat ashtu siç duam, nuk mjaftojnë.

%d bloggers like this: