Kufijtë nuk preken, zyrtari gjerman: 5 vendet e BE, të njohin Kosovën

Kufijtë nuk preken, zyrtari gjerman: 5 vendet e BE, të njohin Kosovën

Kufijtë aktual të Kosovës nuk duhet të lëvizin, dhe 5 vendet anëtare të BE, duhet sa më parë ta njohin Kosovën. Kështu deklaroi nga Prishtina deputeti gjerman i partisë në pushtet CDU, Peter Beyer.

Gjermania vijon të demonstrojë qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, në kuadër të një marrëveshje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Peter Bayer, deputeti gjerman i CDU-së së Merkel, i cili vizitoi Kosovën për të disatën herë në harkun kohor të një viti, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin në largim Ramush Haradinaj, foli mbi rëndësinë që ka mosprekja e kufijve për stabilitetin në rajon.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë e saj. Është vërtet e dëmshme, që jo të gjitha shtetet evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj në këtë kuadër ju bëj thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së që ta njohin atë. Kosova gjendet para zgjedhjeve parlamentare dhe është një fushatë shumë e shkurtër, kështu që partitë politike kanë vetëm pak ditë kohë për të fituar besimin e elektoratit”

Sa u përket pritshmërive për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosocës në BE, deputetit gjerman dha sinjal pozitiv.

“Gjermania është një shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave natyrisht. Vërtetë nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk i është liberalizuar lëvizja. Unë nuk do ta jap një datë, por, ndoshta do të jetë shpërblim për Krishtlindje”, tha Beyer.

Ndërsa kryetari i qeverisë në ikje, Haradinaj, shprehu mirënjohje ndaj Gjermanisë e vecanërisht ndaj kancelares Merkel, për qëndrimin e saj konstant për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.

“Shpreh një falënderim të veçantë jo vetëm në emrin tim, por edhe të gjithë popullit të Kosovës për një qëndrim shumë të qartë dhe vërtet shumë mbështetës për Kosovën dhe integritetin territorial, kufijtë, pra, mos lejimin e lëvizjes së kufijve nga Gjermania, kancelarja Merkel por edhe nga të gjithë CDU dhe kolegët që na kanë përkrahur në vazhdimësi në këtë temë. Mendoj se me këtë e kanë shpëtuar edhe Ballkanin, nga një jo stabilitet serioz dhe për këtë u jam jashtëzakonisht falënderues”

Ligjvënësi u Bundestagut përsëriti në Prishtinë deklaratën e dy javëve më parë nga Hungaria të kancelares Angela Merkel se “Bashkimi Evropian nuk ka të ardhme pa integrimin e Ballkanit Perëndimor”.

Lini Nje Koment