Janinës ç’i panë “sitë”

Editorial/ Nga Alfons Zeneli

Para pak ditësh komentuam mbi lëvizjet e Ramës si pelegrin nëpër vakëfet ortodokse greke. Kuptohet, mbase tashmë e drejta e tij si Kalores i Varrit të shenjtë të kishës greke, është një e drejtë me dimensione krejt të tjera nga ç’i ka patur dikur, me dimensione shumë më të gjëra…ndoshta të pakufishme po të kemi parasysh fuqinë madhore të kishës mbi shtetin grek. Cila do të ishte fuqia ndikuese e një Kalorësi mbrojtës të Kishës Greke në shtetin grek? Me gjasë goxha e madhe. Të paktën, shteti grek e ka për detyrë t’i gjendet në ditë të vështira legjionarit të vet të përzgjedhur. Sepse kështu e kanë këto punë. Edhe Rama si Kalorës i gjendet vazhdimisht dhe punon pa u lodhur në mbrojtje të interesave të ksihës greke siç ia lyp detyra. Vizita e fundit në Trikalla e cila në dukje ishte ishte thjesht një qokë apo detyrim që i buronte nga rangu i lartë që mban si kalorës i kryqtarëve të Varrit të shenjtë të kishes ortodokse greke, ka gjasa që të ketë patur edhe ndonjë tjetër qëllim. Ndoshta ndonjë ndërlidhje të mundshme për të aktivizuar fuqinë e vet si kalorës e legjionar. Po të kemi parasysh situatën e vështirë në të cilën e ka vënë Agimi si Kajmak dhe Jorgoja si Toro, na lind dyshimi se Rama sot më shumë se kurrë ua ka nevojën autoriteteve greke për ndonjë manipulim të mundshëm të dokumentave të Jorgos në favor të Agimit. Natyrisht, ende nuk ka fakte apo të dhëna serioze mbi vizitën e fundit të Ramës në Kishën e Trikallas. Kështu në terr e ka lëne vetë ai arsyen e vizitës dhe vetë vizitën. Fakti që vetë Rama e ka mbajtur të fshehtë nga opinioni publik, e shton mundësinë që vizita në fjalë të ketë një background tjetër nga ai ngushtësisht fetar ceremonial. Përndryshe, ERTV dhe satelitët e tjerë mediatikë do i kishin tundur ekranet si të ndenjura punëtoresh 24 orë rresht duke trumbetuar vizitën e bablokut në shtetin fqinj. Një tv si ERTV që nuk le kopësht, livadh e çitjane pa e futur kamerën e vet, nuk do e linte t’i humbiste një rast i tillë i artë për të reklamuar lavdinë ballkanike të shefit. Megjithatë, e keqja qëndron tek fakti që Rama kurrë nuk do japë shpjegime as për kuptimin që ka rekrutimi i tij në batalionin e kryqtarëve të varrit të shenjte të kishes ortodokse greke dhe as për rrethanat e pelegrinazhit të tij në Trikalla. Por le të vijmë tek një ngjarje tjetër interesante që ka ndodhur më pas e që nuk është çudi të ketë lidhje me dy të parat. Cicërimat e zogjve thonë se eminenca gri e socrilindjes Gramoz Ruçi ka udhëtuar në drejtim të Janinës me një ofertë marramendëse në çantë. Thuhet se misioni i tij ka të bëjë pikërisht me manipulimin e letrave të kryetarit me kajmak të Bashkisë së Vorës. Gramozi vetë si individ mbase nuk ka fuqi që të ndikojë e të kryejë operacione me një koefiçent të tillë vështirësie në një territot të huaj, pasi influenca e tij kryesisht shtrihet në Salari, Tepelenë, Memaliaj, Vlorë dhe Levan. Por, do ndryshontë puna nëse ai do ta ndërmerrte operacionin në gjykatën e Janinës me kredencialet e një Kalorësi të Lartë mbrojtës të interesave të Kishës greke në dorë. E nëse është kështu, ka shumë gjasa që ai i trafikanti i pretenduar nga opozita dhe që vërtetohet nga vendimet e gjykatës së Janinës do të dalë tjetër për tjetër, ndërsa Agimi me Jorgon do dalin të virgjër. Megjithatë, tani duket se gjithçka ka mbetur në dorën e Gjykatës së Janinës për të na treguar se çfarë i panë sytë.

%d bloggers like this: