Fushata në Kosovë, ndalohet përfshirja e dy zyrtarëve të lartë serbë

Zyrtarët e qeverisë së Serbisë janë të ndaluar të përfshihen në fushatën për zgjedhjet  në Kosovë. Megjithatë, disa prej tyre kanë bërë përpjekje të shkelin vendimin e  autoriteteve  të Kosovës që u mor  pas kërcënimeve që vijojnë t’i bëhen komunitetit serb në Kosovë nga vetë Beogradi zyrtar, për të mbështetur vetëm njërën nga partitë serbe “Listën Serbe”.

Për këtë arsye u ndaluan dhe u detyruan të largohen nga territori i Kosovës dy zëvendësdrejtorët e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, konkretisht Damjan Joviç dhe Dushan Kozarev.

Vartësit e Marko Gjuriqit pretendojnë se po ushtrohet represion ndaj “listës Serbe” për mbështetetjen e së cilës, ata janë angazhuar në takime të ndryshme me komunitetin serb duke sulmuar ndërkohë partitë e tjera serbe.

Joviç citohet nga mediat të jetë shprehur se populli serb e mbështetë Listën Serbe sepse e do Serbinë dhe këtë askush kurrë s’do ta ndryshojë”. Pas vendimit për të mos lejuar përfshirjen në fushatë të dy përfaqësuesve të lartë të Serbisë për Kosovënn Joviç dhe Kozharev, përfaqësuesi i Ministria së Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj deklaroi:

“Zgjedhjet e 6 Tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi, i cili e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

 

Lini Nje Koment