“Dashuria s’mund të mbetet vetëm. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se “Dita e Shenjtërimit” të Nënë Terezës është një festë për mbarë kombin shqiptar, për botën katolike dhe për të gjithë njerëzimin anë e mbanë globit.

Kreu i Shtetit thekson se Nënë Tereza me madhështinë e thjeshtësinë e saj, është shndërruar në burim frymëzimi që nxit çdokënd për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, pranë halleve të përditshme të qytetarëve.

Mesazhi i plotë i Metës:

Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin. Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.

Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve.

Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”

%d bloggers like this: