Atentat të fortit të Fushë-Krujës, policia nuk jep informacion mbi ngjarjen

Një ngjarje e rëndë ndodhi mesnatën e shkuar  në Krujë. Shpresa Basha, halla e Mareglen Hakës, të njohur si i forti i Niklës, i është bërë atentat me plumba në derën e shtëpisë në fshatin Zezë. Ajo ndërroi jetë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranës, ndërkohë i nipi, Mareglen Haka mbeti i plagosur. Autorët kanë hapur zjarr në drejtim të të riut, por plumbat kanë prekur edhe 50-vjeçaren. Raportohet se personi që i ka shoqëruar në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin e qëlluar me armë, është vëllai i Durim Bamit.  Sipas dëshmive paraprake mendohet që të kenë qene katër persona të dyshuar që kanë marrë pjesë në atentat. Mareglen Haka i lindur me 04.04.1991 është një personazh i njohur për policinë. Si një prej të ‘fortëve’ të Fushë-Krujës 28 vjeçari u arrestua në Shtator vitin 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël. Ata u vunë në pranga për posedim pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shitjes së lëndëve narkotike. Bashkë me të u arrestua edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, pikërisht personi që i transportoi në Spitalin e Traumës hallën dhe nipin që ranë pre e atentatit. Policia dha shume pak detaje për ngjarjen duke e raportuar atë në një njoftim të shkurtër të njëjtë me ngjarje të rëndomtë aksidentale, ndërsa burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për hakmarrje mes grupeve të inkriminuara.

Lini Nje Koment