Anëtarësimet dhe njohjet/  Kosova rrezikon dështimin radhës në interpol

Anëtarësimet dhe njohjet/ Kosova rrezikon dështimin radhës në interpol

Edhe këtë vit Kosova rrezikon të dështojë në përpjekjet për tu bërë pjesë e INTERPOL. Përqendrimi në zgjedhjet e parakohshme ne vend, në prag të asamblesë së radhës të kësaj organizate që do të mbahet në tetor, si dhe lobimi i pandërprerë i Serbisë, mund t’i sjellin Kosovës dështimin e radhës në këtë objektiv tepër të rëndësishëm për të.   Ndërsa Kosova është fokusuar plotësisht në zgjedhjet e parakoshme parlamentare, një zhvillim ky i paparashikuar në agendën vjetore të politikës, kanë rënë ndjeshëm edhe ritmet e angazhimeve në proceset integruese të vendit.  Pas dështimit rreth një vit më parë për tu anëtarësuar në INTERPOL, si pasojë e një lobimi të fortë nga ana e Beogradit, kundrejt një punë jo të mirë të autoriteteve të Kosovës, kjo e fundit rrezikon dështimin e radhës për tu bërë pjesë e kësaj organziate.

Ndërsa Serbia e ka vijuar pa ndërprerje aktivitetin e saj lobues kundër Kosovës në organizmat ndërkombëtare, e konfirmuar kjo edhe nga vet zyrtarët më të lartë të Beogradit, Kosova, sidomos poltika e jashtme e saj, nuk ka qenë në nivelin e nevojshëm të angazhimit politik. Edhe këtë herë Kosova ka pak gjasa të marrë përgjigje pozitive nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, që pritet të mbahet në tetor të këtij viti në Kili. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se MPJ-ja nuk po lobon sa duhet, ndërsa Serbia po vazhdon luftën e saj kundër Kosovës.  Ndonëse Kosova në janar të këtij viti ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, njohës të çështjeve të sigurisë konsiderojnë se Ministria e Punëve të Jashtme ka dështuar në përmbushjen e kushteve për anëtarësim. Sipas tyre, kërkesa për anëtarësim do të jetë një dështim i radhës. Haxhi Shala, i cili gjatë legjislaturës së kaluar kryesoi i Komisionin për Punë të Brendshme dhe për Siguri, ka thënë se Kosova mund të mos arrijë as këtë vit të bëhet pjesë e interpol, për shkak të procesit zgjedhor, packa se sipas tij, MPJ-ja vazhdon të jetë e angazhuar në lobim.

 

Ndërkaq një paralajmërim tepër pesimist ka bërë edhe zëvendëskryeministri në largim, Enver Hoxhaj. Në një deklaratë të tij thuhet se së shpejti 10 shtete mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme është kundërshtuar ky informacion, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë së Kosovës bëjnë përgjegjës këtë dikaster për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja.

Prej një viti e gjysmë Kosova nuk ka arritur asnjë njohje të re. Ajo është njohur nga 116 shtete, por rreth 13 prej tyre kanë deklaruar se po e rishikojnë vendimin për njohje. Por, sipas së Drejtës Ndërkombëtare Publike, njohja është akt i njëanshëm juridik, ndërkombëtar, i parevokueshëm, që nënkupton se ajo nuk mund të tërhiqet.

 

Lini Nje Koment