Prokura e dijes kombëtare

“Tekstet nuk që vitin e parë, sepse bëhet diferencimi nga mësuesit dhe prindërit dhe pasi kalon këtë sitë përcaktohen ndryshimet që duhen bërë. Vitin tjetër shkollor ato nuk futen nëse nuk bëhen ndryshimet e sugjeruara.- Lindita Nikolla
Kështu do të përgjigjej Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinise, Znj. Lindita Nikolla për praninë e Rigels Rajkut të quajtur ndryshe Noisy,me emrin e skenës, në tekstet shkollore.

Zonjës Ministre, populli shqiptar i ka dorëzuar Prokurën e Dijes Kombëtare dhe akti i përfaqësimit prej saj në këtë rast, nuk është aspak i denjë për vetë peshën që mban prokura e dorëzuar.

Tekstet shkollore dhe hartimi i tyre, kanë një rëndësi thelbësore, në çdo sistem të shëndetshëm arsimor. Të certifikuar fillimisht duhet të jenë hartuesit e teksteve. Dhe me certifikim nënkuptoj individë të kultivuar, me përvojë të gjatë në fushën e mësimdhënies dhe të hartimit të teksteve shkollore.

Shumëkujt mund t’i lindë krejt natyrshëm pyetja: Ç’të keqe ka nëse përfshihet emri i një këngëtari në një tekst shkollor?!

Gjithkujt i sjell në vëmendje, vargjet e mëposhtme, të cilat janë shkëputur nga një këngë e këngëtarit në fjalë, të cilin më parë e kisha dëgjuar si emër, por nuk kisha dëgjuar asnjë këngë të tij.

Hapeni rrugen se po vjen cunami (woah)
Cunat e nates sta falim hesapin (woah)
Na njofin shum mir kta nuk di pse po llapin (woah)
Sa shpia e jote m’kushton vec sahati (brraa)
Hapeni rrugen se erdhen rrebelat
Na me kapuca kto vin me kordela
Shkojm ne takime takime biznese
Por prap jam me tuta atletet e zeza
Makinat e zeza (woah)
Bizneset e zeza (woah)
Gjithmon kam kujdes
Se me kta nuk i dihet cka esht e verteta (woah)

Unë jam një njeri i rritur dhe me ide të qarta dhe bashkësia e fjalëve të mësipërme, sepse tekst e kam të vështirë ta quaj, nuk mund të ketë asnjë ndikim tek unë, por përfshirja e këtij këngëtari në tekstet shkollore dhe pyetja se cilat këngë këndon ky këngëtar , bën që një nxënës të lundrojë në internet dhe ta njohë atë.
Edhe nëse prindi është përpjekur ta mbajë larg nga kjo rrymë muzikore , është shkolla që e afron me këtë të fundit.

Dhe të mos harrojmë se në psikologjinë e fëmijës Libri është një autoritet i padiskutueshëm. E kemi dëgjuar shpesh fjalinë- Ashtu thotë libri…

Do të gëzohesha vërtetë nëse një tekst shkollor do të ishte autoritet i padiskutueshëm, sepse kjo do të dëshmonte që hartimi i tij do të ish bërë nga individë që janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë themelore të një teksti shkollor.

Post Scriptum- Zonja me Prokuren e Dijes Kombëtare, do të bënte mirë që tekstet t’i certifikonte para se të binin në duart e nxënësve, sepse shumë nxënës mund të bien pre dhe ta shndërrojnë në pikë referimi personazhin e përmendur më lart.

Nga Elona Caslli

%d bloggers like this: