3 vjet Shën Tereza, përkujtohet shenjtorja që nderoi kombin në botë

Me rastin e 3-vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës,  në Shqipëri e Kosovë u mbajtën aktivitete në nder të shqiptares që lartësoi emrin dhe vlerat e Kombit tonë, kudo në botë.

Bota përkujtoi sot në tre-vjetorin e Shenjtërimit, nobelisten shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nëna Terezë. Më 5 shtator 2016, në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e shërimit të të sëmurëve, akt ky që motivon lartësimin deri në kanonizim ose shenjtërim të saj.

Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 3-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Qindra besimtare morën pjesë në meshën e shenjtë që u mbajt në katedralen e Shën Shtjefnit. Me këngë e lutje për shpirtin e shenjëtores shqiptare,  besimtarët parakaluan nëpër rrugët kryesore të qytetit për të ndalur të busti i saj në qendër të

Shkodrës. Festa fetare liturgjike në kujtim e për nder të Shën Nënë Terezë u kremtua edhe në Vaun eDejës të dioqezës së Sapës, ku janë ndërtuardy Kisha katedrale kushtuar figurës së misionares së bamirësisë.

Edhe Katedralja që mban emrin Shën Tereza në Prishtinë  kremtoi solemnisht  këtë ngjarje. Pas 10 ditëve përgatitje dhe devocioni, që filluan në ditën e lindjes së saj më 26 gusht, të premten në Kosovë u mbajtën aktivitete të shumta në ditën e Shën Terezës. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 nga prindër shqiptar në Shkup. Në moshën 18-vjeçare ajo veshi pektun e murgeshës. Jeta e saj ishte përkushtim ndaj më të varfërve në botë. Pjesën më të rëndësishme të aktivitetit të saj, Shën Tereza e përqendroi në Kalkutë të Indisë, por misioni i saj veproi kudo në botë. Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi Urdhërin e saj të murgeshave të quajtur “Misionaret e Bamirësisë”.

Në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në Tribunën e Oslos. Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh dorëzuar asajnga juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e pranoi çmimin, vetëm, pasi një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.

Papa Gjon Pali II e lumturoi nënë Terezën më 19 tetor 2003, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, duke përmbushur kështu dëshirën e miliona njerëzve nga të katër anët e botës, që e patën konsideruar shenjte që në të gjallë të saj.

Kur u pyet rreth identitetit të saj, Shën Tereza u përgjigi. “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës, por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Jezusit”. Bota e njeh Shën Terezën edhe si engjëllin e të varfërve.

Nëna dhe Motra e shën Terezës jetuan deri në fund të jetës në Shqipëri.  Regjimi komunist i pat refuzuar asaj kërkesën të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore. Ajo erdhi për herë të parë në Shqipëri në 14 gusht në vitit 1989, ku qëndroi për tre ditë dhe ku vizitoi varret e nënës e motrës, Drane e Age Bojaxhi.

Ndërsa pjesën tjetër të Kombit të saj, Kosovën, Shën Tereza e kishte vizituar plot 5 herë nga viti 1970 deri në 1986.

%d bloggers like this: