Vrasje e paralajmëruar, kush është Armando Gjini?

Vrasje e paralajmëruar, kush është Armando Gjini?

Armando Gjini u ekzekutua sot në mesditë në Rrëshen, 48-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë pasi rezulton me precedentë penalë. Më 6 maj të këtij viti, Gjini mundi t’i shpëtonte një atentati me eksploziv, ndërsa ishte bashkë me fëmijët.

Makinës në pronësi të Armando Gjinit, i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Met Kananit ishte vendosur një sasi eksplozivi në sedilje, por atëherë fatmirësisht nuk shpërtheu.

Gjini tregoi atë kohë se në mëngjes kishte marrë makinën tip ‘Benz’ të parkuar poshtë pallatit për të dërguar fëmijët në shkollë pasi ishte shi, por pa e ditur se në automjetin i tij kishte qenë një “minë me sahat” dhe që mund të shpërthente nga momenti në moment.

Pasi konstatoi pakon ai njoftoi menjëherë policinë, e cila e spostoi në një distancë të largët nga pallatet duke bërë shpërthimin e kontrolluar. Gjini deklaroi se bomba ka shpërthyer menjëherë sapo është prekur, në tentativë nga forcat xheniere për ta nxjerrë pakon nga makina. Nga shpërthimi i fortë u dëmtua totalisht makina.

Më herët, më 12 maj të vitit 2018, Gjini u arrestua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, për trafikimin e lëndëve narkotike. Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian.

Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së.

Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së.

Lini Nje Koment