Ultimatumi i QUINT-it/ Prishtina e Beogradi, tjetër hap larg tryezës së dialogut

Ultimatumi i QUINT-it/ Prishtina e Beogradi, tjetër hap larg tryezës së dialogut

Qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit nuk janë lëkundur aspak edhe pas ultimatumit të vendeve të Quinitit, për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, duke heqë dorë më parë nga sjelljet dhe vendimet përkatëse të palëve, që pengojnë procesin e negociatave. Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, shprehet pro bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve me Beogradin, por nuk pranon kushtëzime, kur bëhet fjalë për heqjen e taksës 100%.

Haradinaj iu përgjigj menjëherë deklaratës së përbashkët të 5 vendeve lider në BE dhe NATO, që i kërkonin Kosovës të heqë taksën doganore ndaj Serbisë, duke e konsideruar atë si pengevsë për vijimin e dialogut, ashtu sic e cilëson edhe Beogradi. “Vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi e kemi thënë “tregu për njohje” dhe këtë qëndrim vazhdojmë ta kemi”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Haradinajt. Ky i fundit vlerëson se “nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat jetike, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen e Kosovës”.

Edhe për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Kosova asnjëhere nuk ka qenë pengesë për dialogun. Ai i bëri thirrje BE,  që, përpara se të kushtëzojë Kosovën për ulje në tryezën e bisedimeve, të parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejojë rindërtimi i shtëpive të djegura, atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Nga ana tjetër Beogradi shprehet akoma në u vendosur për të mos iu kthyer dialogut, pa heqjen e taksës.

Referuar kushteve të vëna nga Quinti, për të hequr dorë nga lobimet anti-njohje e anti-integrim të Kosovës, Serbia legjitimon sjelljen e saj ndërsa vlerëson se nuk ka vend për krahasim.  Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha në përgjgije të deklaratës së përbasvkët të shteteve perëndimore, se “Nuk mund të ketë një akt balancimi artificial, sepse nuk është njësoj kur dikush mbrohet nga anëtarësimi i kundërligjshëm në organizata ndërkombëtare dhe kur dikush shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare”. Duke folir me gazetarët në Beohrad, Gjuriq bëri të qartë se: “dialogu do të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës nga Prishtina dhe se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”.

Bexhet Pacolli, Kryediplomati i Kosovës, pas kësaj deklaratë të zyrtarit serb, tha se ky qëndrim justifikon deri në legjitimitet masën ektreme të marrë nga qeveria e Kosovës ndaj Serbisë.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj”, shkroi në profilin e tij Pacolli.

Lini Nje Koment