Të drejtat e njeriut/ OKB kritika Iranit, gjatë 2018 u ekzekutuan 7 fëmijë

Të drejtat e njeriut/ OKB kritika Iranit, gjatë 2018 u ekzekutuan 7 fëmijë

Kufizimet ekstreme ndaj të drejtave dhe lirive të shprehjes, por dhe lirive të tjera në Iran, e sidomos numri i lartë i ekzekutimeve, ku nuk përjashtohen as fëmijët, ishin pjesë e një raporti tepër kritik të Raportuesi të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, në Teheran.

Kombet e Bashkuara, kritikuan ashpër Iranin për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, situatë kjo që sipas raportuesit të OKB në Teheran, është përkeqësuar së tepërmi gjatë vitit që lam pas.

Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Iran, thotë se vitin e kaluar ka pasur “kufizime në rritje” mbi të drejtat e lirisë së shprehjes dhe lirive të tjera, por edhe gjykimeve të drejta në Iran, duke kritikuar Teheranin për numrin e lartë të ekzekutimeve, përfshirë këtu edhe ekzekutimin e të paktën shtatë fëmijëve.

Komentet e Javaid Rehman janë bërë në raportin e përpiluar muajin e kaluar dhe që është prezantuar në Këshillin e Përgjithshëm të OKB-së më 16 gusht.

Në raport, ai shpreh shqetësimin e tij pasi Irani ka më shumë se 80 vepra penale që janë të dënueshme me vdekje, përfshirë këtu tradhtinë martesore, homoseksualitetin, posedimin e drogës, “luftën kundër Zotit”, korrupsionin, blasfeminë dhe fyerjen ndaj profetit Muhamed.

Shumica prej veprave që në Iran ndëshkohen me vdekje, sipas Rehman, nuk konsiderohen krime serioze sipas Konventës Ndërkombëtare për Liritë Civile dhe Politike. Rehman theksoi faktin se numri i ekzekutimeve “vazhdon të jetë ndër më të lartit në botë”. Në raportin e OKB-së, Teherani po ashtu kritikohet për trajtimin që u bën minoriteteve etnike.

Ndërkaq Organizata Human Rights Watch i bëri thirrje Iranit që të lirojë gratë e burgosura, të cilat u arrestuan nën dyshimin se janë veshur si burra, me qëllim që të shikojnë nga stadiumi ndeshje të futbollit.
Në Iran është e ndaluar që gratë të shkojnë në stadiume për të parë ndeshje të futbollit. Autoritetet iraniane thonë se grave u ndalohet hyrja në stadiume, me qëllim që të mos u ekspozohen fyerjeve nga tifozët meshkuj, ndërsa kritikët thonë se kjo ndalesë është diskriminuese ndaj grave.

Lini Nje Koment