Spostimi i Haradinajt/ Vendet e QUINTIT unifikojnë qëndrimin kundër taksës 100%

Spostimi i Ramush Haradinajt nga kreu i qeverisë, ka sjellë fuqizimin e zërit të vendeve lider të Bashkimit Europian dhe SHB, kundër taksës doganore, ndër kauzat e mbrojtura më fort nga Kryeministri i dorëhequr, në emër reciprocitetit me Serbinë.

Shtetet e Kuintit kërkojnë rikthimin në tryezën e bisedimeve të Prishtinës dhe Beogradit, por gjithashtu duan që më parë Kosova të heqë taksën 100% ndaj importeve serbe.  Me anë të një komunikate të përbashkët, Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehin qëndrimin e  unufikuar në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo-ja pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, thuhet në apelin e vendeve të quintit, ndaj ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

Teksa u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja, pesë shtetet shprehin gatishmërinë për forcimin e rolir të tyre në këtë proces, në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por kushtëzojnë se kjo mund të ndodhë vetëm kur të dyja palët të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë, ndërsa për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës” thuhet në komunikatën e përbashkët të vendeve të quintit.

Lini Nje Koment