Sfidon Beogradi/ Ndërton dhjetra banesa për serbët në lagjet e shqiptarëve

Dhjetra banesa të reja janë ndërtuar nga serbët në veri të Mitrovicës, në lagjen e banuar gjithmonë nga shqiptarët, “Kroi i Vitakut”. Siç raportojnë mediet në Prishtinë, banorë të ndërtesave të sapo përfunduara pritet të jenë shtetas serbë, të cilët nuk kanë jetuar asnjëherë në atë zonë.

Në lagjet e veriut të Kosovës të banuara me shumicë të popullatës shqiptare po vazhdon ndërtimi i dhjetra banesave për serbët. Administrata Komunale e Mitrovicës së Veriut u ka lejuar serbëve të ndërtojnë shtëpi në këtë zonë,  e sidomos në lagjen “Kroi i Vitakut”, ndërkohë që shqiptarët nuk mund të marrin leje për rindërtimin e shtëpive të tyre, 300 prej të cilave të djegura që në kohën e luftës.

Shtëpitë e shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës ende janë gërmadha, pasi rindërtimi i tyre nuk lejohet nga Komuna Veriore, e cila udhëhiqet nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Shumë shqiptarë të lagjeve veriore, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në vitin 2000, edhe sot jetojnë në jug të qytetit, në kushte të tilla sikur të ishin refugjatë. Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut shprehen të shqetësuar për shkak të ndërtimit të shtëpive për serbët, duke siguruar se banesat do të jenë në shërbim të serbëve që asnjëherë nuk kanë jetuar në atë pjesë. Në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku janë intensifikuar ndërtimet për serbët, Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka lejuar asnjë shqiptar ta rindërtojë shtëpinë ose të ndërtojë shtëpi të re në pronën e vet. Ndërsa mediet kanë publikuar pamje të blloqeve etë banimit disa prej tyre të përfunduara, gati për të pritur banorët e rinj, nga institucionet në Prishtinë ende nuk ka asnjë reagim. Nga ana tjetër formati i unifikuar  i ndërtimeve të reja lë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për sipërmarrje private individuale. Investimi në bllok, sipas të gjitha gjasave është bërë me fondet dhe nxitjen e shtetit serb.

Lini Nje Koment