Rriten kërkesat, 30% më shumë azilantë se në 2018-ën

Kriza politike, fundi i së cilës nuk duket ende në sfondin e zhvillimeve në Shqipëri, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë braktisur vendin e tyre, ose që janë të gatshëm ta bëjnë këtë sapo t’iu jepet mundësia.

Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilit, në raportin me të dhënat e publikuara së fundmi, bën të ditur se në 6 muajt e parë të 2019, pati 10,439 kërkesa për azil, për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur me afro 30%.

Vetëm këtë qershor nga Shqipëria aplikuan për azil 1,787 shtetas,  nga të cilët 1,576 për herë të parë dhe 211 ishin aplikime të përsëritura. Në raport me vendet e tjera të Ballkanit, shqiptarët mbajnë rekord në dëshirën për të ikur. Nga Serbia kishte 352 aplikime në total, nga Maqedonia e Veriut 192, nga Bosnja Hercegovina 122, nga Kosova 273 dhe nga Mali i Zi kishte vetëm 19 aplikime.

Në vitin 2015 që përkon me vitjn e dytë të qverisë “Rama1”,

u konstatua rritje e lartë e kërkesave për azil nga shqiptarët, në rreth 69 mijë, nga 17 mijë që kishin qenë vitin e mëparshëm. Muajt e parë të 2019 flasin për një rigjallërim të fortë të emigracionit.

Një studim i fundit i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale gjeti se 70% e të rinjve që studiojnë në universitetet shqiptare kanë për qëllim të largohen nga vendi. Profili i ri i emigracionit pas liberalizimit të vizave ka përfshirë të gjitha grupmoshat e popullsisë, nga të gjitha qytetet e vendit, duke çuar drejt zbrazjes së shpejtë të tyre.

Lini Nje Koment