Pranga kryeprokurores/ Shkup, arrestohet Katica Janeva dhe dy politikanë

Pranga kryeprokurores/ Shkup, arrestohet Katica Janeva dhe dy politikanë

Është arrestuar në Shkup Kryeprokurorja e dorëhequr Katica Janeva, e bashkë me të, edhe tre shtetas të tjerë, nga të cilët dy politikanë, të dyshuar si të pëfshirë në rastin “Zhvatja”.

Kryeprokurorja e dorëhequr e Maqedonisë së Veruit, Katica Janeva, u arrestua nga policia të mërkurën në Shkup. Sic informojnë mediet vendase,  bashkë me të janë ndaluar edhe tre persona të tjerë, mes tyre edhe dy politikanë të lidhur me rastin “zhvatja”, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të njohur.

Policia javë më parë kish bastisur banesën e kryeprokurores Janeva, të cilës i janë sekuestruar mjetet e komunikimit për shkak të dyshimeve për lidhje me drejtuesin e televizionit 1 TV, Bojan Jovanovski dhe një bisnesmeni tjetër, Zoran Milevski, të cilët janë paraburgosur pas denoncimeve se kanë marrë 1.5 milion euro nga një shtetas i botës së biznesit, duke i premtuar masa lehtësuese, apo edhe lirim nga akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohej kundër tij.

Katica Janeva, ka mohuar se është e përfshirë në rastin “Zhvatja” dhe ka kërkuar që organet të hetojnë rastin deri në zvardhjen e plotë.

Ajo ishte emëruar në postin e prokurores speciale më 15 shtator të vitit 2015, me mbështetje edhe të opozitës, ndërsa qëllimi kryesor i punës së saj ishte hetimi i cështjes së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të atij viti, nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale kishte ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshirë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari, për t’i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vite burgim.

Një muaj më parë Janeva dha dorëheqje pas dështimit të partive politike për një marrëveshje lidhur me projektligjin për punën e institucionit që ajo drejtonte. Ligji i ri për Prokurorinë Publike,synonte që Specialja të integrohet në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të niveleve të larta.

Lini Nje Koment