Marrëveshja e pritshme/ Shpend Ahmeti, sërish në krah të Ramush Haradinajt

Marrëveshja e pritshme/ Shpend Ahmeti, sërish në krah të Ramush Haradinajt

Nga dita në ditë po qartësohen orientimet e subjekteve politike, sa u përket bashkëpunimeve parazgjedhore. Mediet në Kosovë raportojnë se partitë e Ramush Haradinajt e Shpend Ahmetit, AAK e PSD, do të garojnë së bashku në zgjedhjet e pritshme parlamentare në Kosovë.

Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti, duket se do të jenë nënshkruesit e të parit koalicion parazgjedhor në Kosovë. Burime brenda dy subjekteve politike, AAK dhe PSD, thanë për mediet në Prishtinë se të premten në mbrëmje është arritur një marrëveshje mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social Demokrate. Të dyja palët janë dakorduar, që të hënën të publikojnë marrëveshjen në një konferencë për media, pas ceremonisë së nënshkrimit të saj, thonë burimet mediatike. Visar Ymeri, nënkryetari i PSD-së, konfirmoi për mediet se janë në bisedime serioze me AAK-në. “Kemi pasur dhe kemi diskutime. Deri tashmë kemi biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk kemi të definuar dhe të nënshkruar asgjë. Javën e ardhshme besoj se gjërat do të qartësohen më shumë”, ka thënë ai. Ndërsa Sekretari organizativ i kësaj partie, Dardan Molliqaj, në një deklarim të fundit për medie ka bërë të ditur se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë.

Edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se të dy partitë janë në bisedime për një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme përgajtë zhvillimeve të rëndësishme politike gjatë muajve të fundit në Kosovë, ndaj koalicioni parazgjedhor mes tyre nuk ëhstë dhe aq i papritrur. Partia Socialdemokrate fillimisht e votoi buxhetin e Kosovës duke plotësuar numrin e nevojshëm për votim në Kuvendin e Kosovës duke ndihmuar në njëfarë forme Ramush Haradinajn edhe për të mos u rrëzuar nga qeveria. Gjithashtu, vlen të kujtohet se i vetmi politikan që nuk u lëkund në mbështetjen ndaj Haradinajt, për mbajtjen në fuqi të taksës 100%, ishte Shpend Ahmeti. Ky i fundit madje i bëri thirrje klasës politike të Prishtinës, të unifikojnë qëndrimin në mbrojtje të taksës, deri në njohjen nga Serbia.

Lini Nje Koment