Kadri Veseli: Kufijtë janë të shenjtë dhe të paprekshëm

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë e certifikimit të të rinjve të Ushtrisë së Kosovës, se shteti ynë nuk kërcënon askënd, por as nuk do të lejojë askënd ta cenojë atë. Veseli theksoi se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, të paprekshëm, sot dhe përgjithmonë.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin tonë për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova ka veç një rrugë: rrugën përpara, zhvillim ekonomik, fuqizim të shtetit, integrim në NATO dhe BE.

Lini Nje Koment