Zgjedhjet moniste – çorapet me alternativë

EDITORIAL/ NGA ALFONS ZENELI

Mospjesëmarrja e shumë të majtëve tradicionalë në votimet për pushtetin popullor të Rilindjes, është treguesi bazë i dështimit të paralajmëruar të Edi Ramës. Përqindja e votuesve e rritur me shtërngime kërcënuese ndaj administratës, megjithatë, arriti një nivel për të cilin nuk do krenohej dot as minipartia e Skënder Gjinushit. Ky rezultat solli turpërimin e dyfishtë të Rilindjes. Edhe atë të tkurrjes së ndjeshme fizike edhe atë të bjerrjes morale. Dështoi edhe pse në këtë ofensivë staliniste angazhoi një makineri gjigande krimi të organizuar shtetëror dhe parainstitucional si KQZ, oficerë policie, deputetë, ministra, funksionarë të ndryshëm administrate, kryetarë bashkish e degësh të PS në rrethe si dhe banditë. E vetmja lëvizje e suksesshme që shkaktoi iliaritet të vërtetë e të justifikuar ishte kombinimi kllounesk i veshjes dhe shkaktimi nëpërmjet saj i turbullirave estetike tek votuesit e Surrelit. Ata me siguri mund t’i shkojnë nga pas trendy-t të banorit më të rëndësishëm të fshatit sa iu përket brekusheve pasi mund të sigurojnë të tilla në versionin e tyre tradicional prej shajaku, por nuk mund të blejnë dot kostume me të ardhurat që sigurojnë nga shitja e perimeve nëpër trotuaret e pushtuar nga ai të cilit po i japin votën. Aq më tepër të gjejnë këpucë aq të mëdha. I sforcuar nga tendenca për t’u dukur i qetë, legal e triumfator mbi kadrinjtë dhe shpellarët, ai ka dalë nga qendra e votimit duke përsëritur me mend se çfarë llumi e vreri do të derdhte pak më vonë kur t’i vinte vakti i konferencës. E quajti 30 qershorin fitore të qytetarisë, të demokracisë, shpresës, dinjitetit etj duke e ditur mirë se ishin pikërisht këto të cilat Shqipëria i humbi dje përkohësisht. Një fitore e bazuar mbi dhunën, grabitjen, absurdin e mungesës së alternativës dhe krimet e faktuara. I vetmi subjekt që sot fitoi ishte shteti i tij privat, forma më e përçudnuar e një shteti që nga koha e bashkësisë primitive e deri më sot. Nën një rekuizitë fizionomike të rënduar prej peshës që ai s’e kupton të së vërtetës por dhe prej efekteve kolaterale të substancave narkotike, ai u shfaq më i inatosur e më i murrëtyer se kurrë. Sepse e vërteta ka peshën e saj së cilës nuk i shmanget dot askush, qoftë dhe despot tiranik i superpasur siç është ai. Gjatë gjithë kohës, Rama ka këmbëngulur se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbaheshin me çdo kusht, me çdo çmim. Jo më kot i stampuan nëpër veshje a mbase bënë dhe tatuazhe me datën mitike 30. Por ai asnjëherë nuk arriti ta kuptonte se bërja e zgjedhjeve të supozuara si të tilla, ishtë dhe tashmë është varri i vet politik, ishte sopata e fundit mbi degën ku qëndronte vetë. Aq më tepër këtë nuk mund ta kuptonin Taulanti, Ulsi dhe Elisa. Bërja e kësaj që u bë dje, ishte definimi i gjithë regresit që Shqipëria pësoi nën regjimin e tij. Nuk është çudi që opozita ta ketë yshtur me dashje Ramën drejt këtij akti final çmendurak. Asgjë që ka bërë Rama deri më sot nuk mund të ketë qënë kaq e favorshme për opozitën se sa këto zgjedhje. Deri para se të zhvilloheshin zgjedhjet e djeshme, shumë njërëz kanë qënë të paqartë mbi tkatin në rënie të Rilindjes. Kam përshtypjen se Rama, e ka kuptuar këtë gjë vetëm gjatë padites së djeshme ose gjatë natës, pra tepër vonë. Ravijëzimi i mjegullës nervore dhe dëshpërimi janë e vetmja fytyrë që i shkojnë kalorësit të vrerosur para galopit të ikjes. Sot në mëngjes, Rama ka qënë personi më i penduar i botës për këto zgjedhje të cilat do të duhej të mos i zhvillonte kurrë para datës së dekretuar nga Presidenti. Lul Basha dhe opozita sigurisht që kanë patur gabimet e tyre gjatë kësaj periudhe të ngjeshur me beteja të ashpra e intensive. Por mendoj se futja spektakolare që i bënë Ramës në kurthin e zhvillimit të zgjedhjeve, ka qënë qershia mbi tortën e fitores ndaj obskurantizmit despotik të regjimit të Surrelit. Gjithë pretendimi dhe loja e opozitës për të mos lejuar zgjedhjet, duket se ka qënë gropa e madhe brenda së cilës Rama kërceu vetë. Në ditët në vazhdimi, ai do të mbulojë vetveten.  E vetmja shenjë pluralizmi që la pas brenda kontureve të 30-tës mitike, ishin çorapet me masa dhe ngjyra të ndryshme që kish veshur me këtë rast.

Lini Nje Koment