Washington-Teheran/ SHBA kërkon aleatë për lundrim të sigurtë pranë Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje aleatëve tu bashkohen në një koalicion ndërkombëtar ushtarak për mbrojtjen e ujrave përreth Iranit dhe Jemenit. Gjenerali I Lartë amerikan I Marinës, Joseph Dunford tha se Shtetet e Bashkuara me këtë kërkesë kanë për qëllim të sigurojnë lirinë e lundrimit në rajon thelbësore për rrugët tregtare. Apeli I Uashingtonit vjen vetëm pak javë pasi Amerika fajësoi Iranin për sulme ndaj naftëmbajtësve të saj në maj dhe qershor. Patrullimet do të fokusohen më së shumti në ngushticën e Hormuzit, aty ku u shënjestruan muajin që shkoi dy anije cisternë, episod ky për të cilin Amerika fajësoi Republikën Islamike, e cila nuk i pranon akuzat. Nga sa pohon gjenerali Dunford, Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me një seri vendesh që kanë dëshmuar vullnet politik për të mbështetur këtë plan të saj. Amerika vetë do të ofrojë anije komandë dhe mjete kontrolli, megjithatë nevojiten që dhe vende të tjera të angazhojnë anijet e tyre me qëllimin që të mbështeten patrullimet. Vetëm disa ditë pas incidentit të cisternave, forcat iraniane në Gjirin Persik rrëzuan një dron amerikan pa pilot. SHBA-ja këmbëngul se ai po fluturonte në ujra ndëkombëtare, ndërsa Teherani thotë se kishte shkelur hapësirën e tij ajrore. Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, duke shtyrë Iranin të kërcënonte se do ta mbyllë ngushticën e Hormuzit nëse nuk do të jetë në gjendje të eksportojë naftë, sanksioni që Trump ka kërcënuar ta vendosë mbi regjimin e Ajatollahëve nëse nuk rinegociojnë marrëveshjen nukleare.

Lini Nje Koment