OSBE reagon ashpër ndaj Paketës Antishpifje, AMA nuk mund të bllokojë artikuj dhe të vendos gjoba

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir ka publikuar një shqyrtim ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, pas disa konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e Qeverisë në muajt e fundit. Ky shqyrtim ka analizuar paketën antishpifje të miratuar pak ditë më parë nga mazhoranca, duke vënë theksin se institucionit të AMA-s i janë shtuar kompetencat  për të vënë gjoba dhe bllokuar artikuj në internet, funksion ky i gjykatës.

“AMA nuk mund të marrë kompetencat e gjyqësorit. AMA nuk mund të vendosë gjoba apo bllokime. Kjo masë duhet të zbatohet në raste shkeljesh të rënda. AMA nuk duhet të bllokojë përmbajtjet e publikuara. Pezullimi dhe bllokimi i botimeve në internet është masë ekstreme. Sikurse bllokimi i përkohshëm duhet të ushtrohet në raste të caktuara. AMA nuk duhet të vendosë gjoba për shkeljet e ligjit. Megjithatë, ka përmirësime të dukshme kundrejt versioneve të mëparshme. E nevojshme të respektohen standartet ndërkombëtare”, thuhet në analizën e Dr. Joan Barata Mir, një ekspert i pavarur për lirinë e medias. Ai nënvizon më tej përmirësime të dukshme krahasuar me versionet e mëparshme të cilat janë shqyrtuar dhe ndarë me autoritetet në janar dhe qershor të këtij viti.

Désir ka sqaruar se: “Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend.”

“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimi gjatë hartimit të këtij legjislacioni“, tha Désir, “e vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet që çuan në përmirësime të shumta”.

“Megjithatë, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit”, tha Përfaqësuesi, duke shprehur shpresën se kjo do të bëhet gjatë procesit parlamentar.

Lini Nje Koment