Frika ekstreme të bën të thuash budallallëqe

Editorial nga Alfons Zeneli

Farsa më qesharake e Ramës është reforma në drejtësi, Spak-u dhe Prokuroria në veçanti të përdorura si armë të ftohta kërcënuese ndaj opozitës. E gjithë batareja e deklaratave si nga ana e Ramës, poashtu dhe nga seria e papgallëve që i kanë mbetur, rreket të sugjestionojë opinionin se opozita gjithçka ka bërë, e bën për të shpëtuar nga drejtësia, vettingu etj. Anasjelltas kjo nënkupton se opozita nuk proteston kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër kapjes së shtetit nga mafia, kundër varfërisë, kundër dhunës shtetërore, kunëdër represionit ndaj fjalës së lirë por ka si qëllim, rrëzimin e qeverisë për të shpëtuar prej sitemit të demokracisë së re popullore të Rilindjes. Nuk mund ta mohoj se fatkeqsisht ka një masë të caktuar njerëzish të cilët janë të gatshëm alogjikisht ta besojnë se opozita ka frikë. Por për nivelet mesatare të intelektit do kishte një problem shumë të madh lidhur me frikën e supozuar të opopzitës. Pasi qeveria është ajo që ka paratë publike në dorë. Ajo ka se me çfarë të bëjë korrupsion praktikisht. Dhe në fakt, kjo qeveri e ka shfrytëzuar më së miri shansin. Miliona euro të tenderuara keq, pa ligj e pa garë, shumë prej tyre nën pretekstin e sekretit shtetëror. Shërbime e punë publike të blera nga privatët e preferuar me çmime shumë të shtrenjta ose jashtëzakonisht shumë të shtrenjta. Miliona të tjera euro reparacione nga gjykatat e arbitrazhet ndërkombëtare si rezultat i vendimeve abuzive të qeverisë. Shpesh të urdhëruara me telefon. 140 milion euro në mos më shumë vetëm e vetëm se ”babloku” i Surrelit e kishte fiksim atë televizionin e italianit të pabindur..Miliona euro dëme nga gjykatat shqiptare për largimet e paligjshme nga puna. Me mijëra rroga iu paguhen nga buxheti i shtetit punonjësve të pushuar padrejtësisht nga puna prej ofiqarëve të administratës që duam. Vendimmarrje kryekëput abuzive ndaj pronës publike dhe private. Pa lënë mënjanë kanabizimin, trafikun e drogave dhe blerjen masive të votave, krime të gjitha të faktuara botërisht. Të gjitha këto janë humbje drastike financiare që boshatisin e varfërojnë deri në kufijtë e mbijetesës edhe vetë votuesit socialistë. Ndaj, duhet ndërgjegje dhe koefiçent shumë i ulët inteligjence të besosh se opozita ka frikë, ndërsa qeveria, pra ajo që i ka paratë në dorë dhe që ka abuzuar në mënyrë demonstrative me këto para, nuk paska frikë. Pra nuk i duhet askujt ndonjë analizë e hollësishme e situatës për të kuptuar se kush ka vjedhur dhe se kush mund të ketë frikë nga një drejtësi e shëndoshë. E vërteta është se Rama po bën sofizmat e veta të mjera për të mbajtur në kaos opinionin dhe për të humbur gjurmët e krimit aq sa është e mundur. Duke mbajtur fort dhe në intensitet të lartë tezën idiote se opozita po saboton reformën, Rama po përgatit terrenin psiokologjik të publikut me qëllim që ky i fundit të mos e akuzojë si arkitekte të dështimit total. Dështim total i reformës në drejtësi quhet instalimi i ushtarëve të bindur politikë në strukturat e këtij sistemi ku përfshihen dhe një numur i frikshëm ish oficerësh dhe spiunësh të sigurimit e Minisitrisë se Punëve të Brendshme të komunizimit. Kjo për pasojë do të sjellë dhe mosndëshkimin e autorëve të vjedhjes së Shqipërisë. Prandaj dhe protestat duhet të jenë edhe më të fuqishme, edhe më persistente. Reforma që Rama është duke bërë në fakt, është riformatim i drejtësisë së diktaturës së proletariatit që duam. Prandaj pretendimi se opozita ka frikë nga reforma dhe Spak-u është thjesht një bllof-budalla. Jo më kot, frekuentuesit më të apasionuar të kësaj teze janë dr. Taulant Balla, prof. Elisa Spiropali dhe akademik Ulsi Manja.

%d bloggers like this: