Basha: Protesta më e madhe nga të gjitha protestat, Rama ik

Lideri demokrat Lulzim Basha e cilësoi këtë të martë, 30 qershorin si  protesta më e madhe e të gjitha protestave, ku 85 % e qytetarëve refuzuan Ramën dhe zgjedhjet një partiake që ai mbajti me cdo kusht në atë datë. Sipas Bashës mesazhi i shumicës refuzuese ishte i qartë, largimi i kryeministrit Rama.

Pjesë nga fjala e Kryetarit Basha me struktura të PD në Urën Vajgurore dhe Kuçovë

“Ajo që ka ndodhur në 30 Qershor, nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada. Braktisja dhe refuzimi i Edi Ramës ka qenë në proporcione masive. Askush nuk është refuzuar si Edi Rama dhe regjimi i tij.
Në ketë refuzim gjejnë shprehje disa prej problemeve kryesore, për të cilat jemi angazhuar në këtë aksion të paprecedentë politik.

1. Vetëdijësim i shqiptarëve se 30 qershori ishte ditë për oligarkët, banditët, për shërbetoret e Edi Ramës, por jo një ditë për qytetarët e zakonshëm. Ramën e braktisi edhe baza socialiste, sepse nuk i shërbente as PS ky proces.
2. Braktisja dhe refuzimi i Edi Ramës erdhi për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike, thellimit të varfërimit të shqiptarëve
3. Roli përcaktues i opozitës, aksioni politik. Pa vendimet e mëdha që morëm, duke nisur me djegien e mandatave, as vetëdijësimi i shqiptarëve nuk do të rritej, as kurajo nuk do të ishte në këto nivele. Sepse më 30 qershor është bërë protesta më e madhe e të gjithë protestave. Nuk u bë në një shesh, por u bë në të gjithë Shqipërinë njëkohësisht.
E vetmja votë e pastër e 30 qershorit është vota e atyre që nuk dolën. Mesazhi është ai që është bërë refren deri edhe për fëmijët: Rama ik.
Raporti i ODIHR është vula më e zezë që kanë marrë ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri dhe Ballkan.
30 qershori nuk mund të prodhojë asnjë pasojë juridike përveçse ndaj atyre që kanë shpërdorur burimet shtetërore në një proces farsë, duke nisur nga paratë që kanë hedhur në një proces të pligjshëm.
Po të kishim një prokuror të ndershëm dhe me integritet, sot, të gjithë këta persona, duke nisur me Edi Ramën, me KQZ, me ministritë e përfshira, do të ishin nën hetim për shpërdorim detyre dhe shpërdorim financiar”.

Lini Nje Koment