Sundimi i Ligjit përballë Ligji jam Unë ?

Sundimi i Ligjit përballë Ligji jam Unë ?

Nga Dritan Shano

Jemi këtu ku jemi sot, gati për t’u vrarë me njëri tjetrin përsëri, sepse janë eliminuar rregullat e lojës, ato që garantojnë bashkë-ekzistencën dhe ekzistencën e shqiptarëve. Ato rregulla që do duhet të prosperonin dhe çonin përpara Shqipërinë, por të shkelura, të thyera, të tallura dhe përqeshura nga politikanët, e kanë sjellë vendin në një tjetër prag-krize ekzistenciale, e disata brenda 3 dekadave të fundit.

Në një studio televizive m’u tha se një metaforist socialist e quante mbushjen e Kuvendit, qeverisë e bashkive me kriminelë sikur ka kaluar miu, dhe se për një mi nuk mund ta djegin gjithë shtëpinë. Ju përgjigja: shiko se miu ka pështyrë dhe helmuar gjithë ushqimin e shtëpisë, pra demokracinë. Sot do i shtoja: Miu po kaloi njëherë e bën rrugë. Më duket se këto 30 vjet politika jonë më shumë se të bëjë të zotin e shtëpisë, ka dëshiruar të bëjë miun. Imagjino kur ky miu është kryeministër.

Mendoj se Kushtetutën e Shqipërisë, Kodin Zgjedhor, Ligjin për Administratën Publike, Ligjin për Funksionimin e Këshillit të Ministrave, Ligjin për Sistemin e Drejtësisë, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Ligjin e Prokurimeve Publike, e ndonjë ligj tjetër që më shpëton tani, nuk duhet t’i shkruajnë politikanët, por vetëm njerëz jashtë politikës, që e duan Shqipërinë.

Këtë detyrë do i ngarkoja unë një Qeverie Tranzitore. Mundësisht të miratohen me Referendum, jo në Parlament. Politikanët, që deri tani kanë bërë Zotin mbi shqiptarët, duhet të qëndrojnë larg këtyre punëve për të paktën 50 vjetët që vijnë.

Këto ligje janë rregullat e lojës !!! Nuk mund të prishen, amendohen, mbikalohen, eliminohen sipas qejfit, narcizimit, psikopatisë, budallallëkut dhe paaftësisë së politikanëve. Prandaj, ata nuk mund shkruajnë asnjë rresht të këtyre ligjeve që rregullojnë bashkëjetesën e shqiptarëve. Nuk duhet të kenë mundësinë as t’i interpretojnë ato. Duhet vetëm t’i zbatojnë me sy mbyllur dhe pa bërë gëk!

Zotësinë e tyre, veçantinë e tyre ta tregojnë se sa mirë i zbatojnë këto ligje dhe gjithë liget e tjera, se si gjejnë mënyrat më produktive, innovatore për të zbatuar këto ligje dhe gjithë ligjet e tjera, dhe jo sa të zot janë t’i ndryshojnë, apo të mos i zbatojnë ato pa u ndëshkuar. Kështu kanë shans të jenë shërbëtorë të Shqiptarëve, jo miu që bëhet Zot në shtëpi të tyre.

Lini Nje Koment