Nuk proteston partia, proteston Shqipëria

Nuk proteston partia, proteston Shqipëria

Nuk jam avokate e Z. Basha

Duke marrë shkas nga shumë reagime, që kryefjalë kanë Z. Basha, jam e shtrënguar t’ju përgjigjem publikisht për atë që më shkruani privatisht.

Nuk jam avokatja e Z. Basha dhe ndaj në këtë mesazh nuk do të bëj avokatinë e tij, veçse do të paraqes marrëdhënien time me vendin tim.

Jam një qytetare me besimin e gjymtuar si ju. Me të njëjtat pikëpyetje dhe me të njëjtin ankth, por me një ndryshim të vetëm; Djegien e mandateve nga Z. Basha e shoh si akt shprese dhe jo si akt dëshpërimi.

Djegia e mandateve nuk e bën Z. Basha një shenjtor, por nuk e bën as një bashkëfajtor në përpjekjen sistematike të Kryeministrit, për të vendosur Diktaturën Moderne në vend.

Të qëndrosh brenda një Parlamenti, ku një Kryeministër krijon ligje të posaçme që bien ndesh me Kushtetutën dhe i miraton me argumentin e vetëm të numrave, do të thotë se je bashkëfajtor po aq sa Kryeministri në detyrë.

Djegia e mandateve sipas meje, ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar zyrtarizimin e një “Diktature Moderne” në Shqipëri.

Nuk rrëzohet Kryeministri duke sulmuar Z. Basha. Kryeministri rrëzohet duke protestuar bashkë me Z. Basha.

Dhe nuk mbështetet Z. Basha për të ardhur në pushtet. Mbështetet Z. Basha, që të parandalohet vendosja e diktaturës në vend.

Ky është thelbi i Protestës. Nuk proteston Partia, proteston Shqipëria.

Demokracia dhe diktatura nuk janë çështje në nivel partiak, janë çështje në nivel kombëtar.

Aktualisht në qendra votimi, po shpërndahen fletë votimi me emrat e një kandidati të vetëm.

Nëse votimet e 30 qershorit zhvillohen dhe njihen, diktatura vuloset në Shqipëri.

Përballë këtij fakti tragjik, nuk kam kohë të sulmoj apo të mbroj njeri.

Kam kohë veçse të mbështes gjithkënd që nuk firmos ekzekutimin me vdekje të Demokracisë në vend!

Post Scriptum- Uroj të kem qenë e kthjellët në përgjigje sikundër nënvizoj faktin se përmes këtij mesazhi, diskutimin e konsideroj të mbyllur.

Ju faleminderit

Elona Caslli

Lini Nje Koment