Mesazhi i fortë i Bashës për gjyqtarët e Elbasanit: E keni vendin para drejtësisë

Mesazhi i fortë i Bashës për gjyqtarët e Elbasanit: E keni vendin para drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me tone të ashpra në deklaratë për medie u përcolli mesazh të drejtpërdrejtë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Elbasanit, të cilët sot morën vendimin për të lënë në burg 4 nga shtatë të arrestuarit si pjesëmarrës në protestë në hyrje të Librazhdit.

“Dua t’u drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit:

Ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia!

Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit.

Ju e dini, edhe ne e dimë. Të gjithë njerëzit e dinë.

Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore.

Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë.

Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj”, us hpreh Lulzim Basha.

Basha deklaroi se Edi Rama nxit vëllavrasjen për të ruajtur pushtetin e kriminalizuar.

“Tani e gjithë bota po zbulon më në fund Edi Ramën e vërtetë: një të inkriminuar pa ndjenja, i cili për para dhe karrike nuk ndalet para asgjëje.

Një megalloman diaabolik që nuk njeh as familje, as shoqëri, as popull, as atdhe.

Tani që e ka kuptuar se u zbulua, dhe se pushtetin nuk e mban dot më me blerje zgjedhjesh dhe propagandë, Edi Rama ka vendosur ta mbajë atë me dhunë.

Pasi asgjësoi gjykatat dhe vuri nën kontroll të plotë prokurorinë, ai ka disa muaj që ushtron dhunë sistematike kundër opozitës dhe qytetarëve.

Mbi 500 qytetarë janë ndaluar gjatë 5 muajve të fundit.

Mbi 50 qytetarë janë arrestuar.

Me dhjetëra gazetarë janë dhunuar në krye të detyrës.

Me mijëra qytetarë janë sulmuar me gaz lotsjellës dhe mjete të forta nga policia.

Por dhuna e tij dështoi.

Njerëzit nuk u frikësuan.

Protestat u bënë përherë e më të mëdha!

Në protestën e fundit ka patur qytetarë pa asnjë lidhje me partitë e opozitës aq sa nuk ka patur kurrë më parë.

Protestat tona tani janë protesta të mëdha popullore, protesta të njerëzve që nuk pajtohen më me krimin dhe korrupsionin që po shkatërron jetët e njerëzve.

Kjo e ka trembur dhe e ka futur në panik Edi Ramën. Prandaj, tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.

Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike.

Këtë qëllim kanë arrestimet e fundit të drejtuesve të PD.

Këtë qëllim kanë përplasjet e policisë me qytetarët protestues.

Këtë qëllim ka vazhdimi i një fushate të paligjshme.

Këtë qëllim ka retorika e djegies, përmbysjes dhe e dhunës.

Motoja e Edi Ramës tani është: Çdo gjë të sakrifikohet, çdo gjë të shkretohet vetëm që ai ai të ruajë karriken dhe milionat e tij. Është një plan i dëshpëruar që do sjellë fundin e tij, dhe ne nuk do lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë.

Ndaj dua t’u bëj thirrje së pari të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht nga pas në këtë aventurë, që të mos bëhen kurban i Edi Ramës.

U bëj thirrje veçanërisht punonjësve të institucioneve ligjzbatuese: refuzoni të bëheni vegla të verbra për të shkelur ligjin, për të dhunuar popullin dhe për të kryer krime në emër të Edi Ramës.

Ne nuk do të na thyeni dot,

Ne nuk do na lëvizni dot asnjë centimetër”, deklaroi kreu i demokratëve.

1 comment

perlat spahiu June 16, 2019 at 6:10 pm

ehhhh , ehhhhh i korruptuari ,kooperativisti lulthim batha ben deklarate gjize.jeni njelloi o kerma te qelbura si banda juaj dhe banda e edhiut te rsmes.ju duhet te zhdukeni.shijaku me televizor,bravo shijaku-jaku.

përgjigje

Lini Nje Koment