Kriza politike/ Këshilli Kombëtar i PD merr unanimisht disa vendime

Kriza politike/ Këshilli Kombëtar i PD merr unanimisht disa vendime

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi sot Këshillin Kombëtar për të diskutuar se si do te vijojë aksioni opozitar dhe për t’i propozuar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal. Unanimisht Këshilli Kombëtar vendosi:

1. Formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, si një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

2. Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë do të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjithë pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet europiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë.

3. Degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren nё terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

4. Degët e Partisë Demokratike të fillojnë menjëherë procesin e kontaktimit të intelektualëve, pedagogëve, studentëve, shoqërisë civile, sipërmarrjes dhe faktorëve të tjerë ekonomiko-socialë në zonat e tyre, për t’i ftuar që të bëhen pjesë e Aleancës në nivel bashkiak.

5. Ngarkohet Kryetari i Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm që të ndjekë zbatimin e këtij vendimi.

 

Lini Nje Koment