Johnson: Nëse zgjidhem kryeministër do t’i mbajë BE-së pagesën e Brexit

Johnson: Nëse zgjidhem kryeministër do t’i mbajë BE-së pagesën e Brexit

Ish Ministri i Jashtëm  britanik Boris Jonnson  njëkohësisht edhe kandidat për kryeministër  kërcënon se nëse zgjidhet si i tillë nuk do t’i paguajë Bashkimit Europian shumën prej 40 miliardë eurosh për të cilën kryeministrja në largim Theresa May ka rënë dakord. Johnson tha gjithashtu se fondet do të mbahen derisa Mbretëria e Bashkuar të jetë më e qartë për proçesin e Brexit duke e cilësuar  në këtë mënyrë paranë si “një lubrifikant i madh” gjatë negocimit të një marrëveshje.

Komentet e Johnson kanë provokuar zemërim edhe në Paris. Reuters bën të ditur se  Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar prerë se nëse  Britania e Madhe refuzon të paguajë faturën e Brexit atëherë shuma do të konsiderohet një borxh që Mbretëria e Bashkuar i ka Bashkimit Europian. Ndërkohë pas kësaj deklarate të Johnson kanë shpalosur planet e tyre të Brexit edhe kandatët e tjerë që garojnë për kryeministër.

Një nga rivalët e lidershipit të Johnson, Michael Gove u shpreh se nëse i besohet atij posti i kryeministrit do të kërkojë një shtyrje të afatit të Brexit përtej 31 tetorit. “Mendimi im është që ne duhet të largohemi para 31 tetorit, por nëse kemi nevojë për disa ditë ose javë shtesë në mënyrë që të vendosim daljen nga blloku kjo është gjëja e duhur”, përfundoi Gove.

Ndërsa një tjetër kandidat për kryeministër aktualisht Ministër i Brendshëm Sajid Javid, tha se ai po përgatitet për një Brexit pa marrëveshje  dhe brenda afatit 31 tetor. “Do të bëj gjithçka që është  e ligjshme për t’u larguar më 31 tetor. Unë do të bëj  të pamundurën për një marrëveshje, por nëse duhet të zgjedh mes një ujdie dhe një jo Brexit, unë jam gati të largohem pa një të tillë”. Votimi për zgjedhjen e liderit të ri do të nisë të enjten, ku deputetët konservatorë do të votojnë  11 kandatët në garë dhe dy më të votuarit do të përballen në një tjetër votim në korrik.

Lini Nje Koment