Të dielën vendosin shqiptarët/ Analistët shohin president të ri Stevo Pendarovksin

Në Maqedoninë e Veriut këtë të shtunë është heshtje zgjedhore. Balotazhi presidencial që zhvillohet të dielën është një betejë mes Stevo Pendarovskit, kandidatit të LSDM-se në qeveri dhe Gordana Siljanovska, e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE.

Ata u ndanë me një diferencë të ngushtë votash në raundin e parë dhe tani emri i presidentit të ri të vendit përcaktohet nga votat e shqiptarëve.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në minutat e fundit të fushatës nga Ohri deklaroi se edhe kandidati i tretë për president, Blerim Reka bëri thirrje për të votuar për Evropë dhe NATO, dhe Stevo Pendarovski është njeriu që ka këtë projekt .

“Edhe kandidati i tretë tha votoni për Evropë, për NATO, shumë qartë për Stevo Pendarovskin. Nga ana tjetër, nuk kemi asgjë, nuk ofruan asgjë, nuk i ftuan shqiptarët, boshnjakët”, deklaroi Zaev, duke theksuar se më 5 maj kandidati i tij do të jetë fitues.

Ndërkohë në krahun tjetër përfaqësuesja e VMRO DPMNE duket se ka fituar mbështetjen e Zijadin Selës. Moto e tij “Shqiptari për shqiptarin” ishte shpresa e parë për rikthimin e VMRO-DPMNE-së dhe orientimit pro rus të Maqedonisë në kohën kur të gjitha segmentet e shoqërisë janë të përgatitura për anëtarësim në NATO dhe në BE.

Në daljen e saj të fundit para heshtjes elektorale Gordana Siljanovska tha se pa reformat e nevojshme nuk mund të ketë datë për fillimin e negociatave me BE-në. Ajo akuzoi pushtetin se nuk mund të jetë reformator i problemeve që i shkakton vetë.

Edhe Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickovski, kërkoi nga qytetarët e pavendosur të mbështesin kandidaten e kësaj partie ndërsa deklaroi se bojkoti në zgjedhje i shkon në favor pushtetit. Zgjedhjet presidenciale konsiderohen të vlefshme nëse do të dalin mbi 750 mijë votues apo 40%. Nëse nuk arrihet ky census atëherë vendi shkojë në zgjedhje të reja presidenciale bashkë me ato të parakohshme parlamentare, që janë paralajmëruar nga pozita dhe opozita.

Lini Nje Koment