Presidencialet në balotazh/ Maqedonia e Veriut, kandidatët me sytë nga shqiptarët

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, mbeten përcaktues për vlefshmërinë ose jo të procesit zgjedhor për presidencialet e  kësaj të diele. Mospjesëmarrja e tyre në votime rrezikon 40%-ëshin e nevojshëm për një proces të ligjshëm, në të kundërt zgjedhjet përsëriten.

Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të dy kandidatët kanë intensifikuar thirrjet ndaj qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës së 5 majit.

Kandidati për president i mbështetur nga LSDM-ja Pendarovski zhvilloi takime më banorë të komunave, Makedonska, Kamenicë dhe Koçan, nga ku foli për alternativën që ofron presidenca e tij, lidhur me perspektivën europiane të vendit, vazhdimin e reformave në rrugën drejtë progresit, zhvillimit dhe integrimit në NATO, por edhe në dhënien fund të asaj që e cilëoi si “Gruevizimi” i Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa kandidatja presidenciale e mbështetur nga opozitarja VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska, edhe pse e njohur për qëndrimet e saj ekstremisht antishqiptare, nuk ka nguruar të kërkojë edhe votat e tyre gjatë një takimi që zhvilloi në Manastir. Ajo foli për nevojën imediate sipas saj, që ka shteti për t’u reformuar në çdo pikëpamje, pasi nuk është më një vend i denjë për jetesë. Sipas saj, vendi nuk do të mund të çelë negociatat këtë qershor siç qeveria e Zaevit pretendon.

Që të quhet i vlefshëm procesi zgjedhor i së dielës është e nevojshme që pjesëmarrja të jetë të paktën 40 për qind e votuesve të regjistruar. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ishte 41.8 për qind. Sipas analistëve faktori shqiptar mbetet vendimtar nëse ky proces do të jetë ose jo i vlefshëm.

Lini Nje Koment