Pendarovski president/ Maqedonia afrohet me perëndimin, sukses edhe i Zaevit

Kandidati proeuropian Stevo Pendarovksi fitoi bindshëm ndaj Gordana Siljanovkës së opozitës, duke hedhur një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt përafrimit me Perëndimin. Fitorja e tij, gjithashtu përbën edhe suksesin e radhës të Zoran Zaev, pas zgjedhjeve që e bënë atë kryeministër dhe marrëveshjes historike të Prespës.

Stevo Pendarovski do të jetë president i ri i Maqedonisë së Veriut për 5 vitet e ardhshme.

Në fazën e dytë të zgjedhjeve të së dielës ai fitoi përballë kandidates së opozitës, Gordana Siljanovska, me një diferencë prej 6 për qind të votave. 51.66 për qind e zgjedhësve votuan për Pendarovskin ndërsa për Siljanovskën 44,73 për qind.

Në daljen e parë si President i vendit edhe pse jo ende zyrtarisht, Pendarovski falenderoi të gjithë ata që e votuan. Duke folur në gjuhën shqipe ai falenderoi në mënyrë të veçantë të gjithë shqiptarët që e votuan.

“Kjo fitore është arritje e madhe për Maqedoninë e Veriut, që i jep fund izolimit dhe çon vendin drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kjo sot ishte një fitore e shumicës së qytetarëve të cilët pa dallim bashkësisë etnike dhe politike u bashkua dhe thamë bashkë përpara dhe asnjëherë më regjim. Sot fituan qytetarët, dua të deklaroj se do t’u shërbej me përkushtim të gjithëve”, – deklaroi Pendarovski, teksa i vlerësoi këto zgjedhje më demokratiket që ka zhvilluar ndonjëherë Maqedonia.

Ndërsa Siljanovska gjatë një komunikimi me gazetarët pas shpalljes së rezultateve, pranoi humbjen, ndërkohë që ngriti pyetje nëse ky rezultat do të çojë drejtë pajtimit dhe bashkimit, apo shënon një ndarje brenda në shtet, në më shumë aspekte, ndarje që ka karakter ndëretnike.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkovski në një konference për shtyp, tha se “Zgjedhjet ishin korrekte dhe kaluan në atmosferë e qetë. Nuk kishte denoncime për parregullsi, cka sipas tij paraqet edhe një hap para drejt demokratizimit të shoqërisë maqedonase.”

Kryeministri Zoran Zaev, tha se me këto zgjedhje  fituam një president evropian.

“Stevo Pendarovski është president i të gjithëve. Me zgjedhje shumë të pastra në të dyja raundet e zgjedhjeve treguam se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kapacitete të mëdha demokratike dhe se është e gatshme për në Evropë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve tregoi se së bashku shkojmë përpara në NATO dhe në BE”, tha Zaev në fjalimin e tij në selinë e partisë ku morën pjesë edhe përfaqësues të BDI-së. Pas shpalljes së zgjedhjeve paraprake urimet e para Pendarovski i mori nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, komisari për zgjerim Johannes Hahn, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, kancelari austriak, Sebastian Kurz, si dhe personalitete tjera. Fitorja e tij është pasqyruar në të gjitha mediet kryesore ndërkombëtare dhe është komentuar si një hap para i Maqedonisë në përafrimin me botën euroatlantike.

Lini Nje Koment