Papa te ortodoksët/ Tre ditë në Sofje e Shkup për pajtim mes krishtërimit

Papa Françesku nis të dielën një tur treditor në Ballkan. Ati i Shenjtë ka në plan të vizitojë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto dy shtete kanë shumë pak katolike.

Në Bullgarinë me 7.1 milionë banorë, vetëm 58.000 janë katolikë, ndërsa Maqedonia ka 15.000 katolikë, më pak se disa famulli në Romë.

Një nga qëllimet e udhëtimit tre-ditor është përmirësimi i marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishtërimit nga Lindja dhe Perëndimi që prej skizmës së 1054-ës. Studiuesit thonë se kjo është një detyrë tejet delikate, pasi Kisha Ortodokse në të dy vendet është përfshirë në konfliktet të brendshme.

Klerikët ortodoksë bullgarë kanë dhënë urdhër për bojkot në lutje me Papën, duke thënë se ligjet e tyre nuk e lejojnë këtë. Por, kreu i Vatikanit do të takohet me Patriarkun dhe do të vizitojë një katedrale ortodokse në Sofje.

Kisha Bullgare muajin e kaluar, duke shpjeguar qëndrimin e saj, theksoi se ftesa për vizitën e Papa Françeskut ishte bërë nga autoritetet shtetërore, duke thënë se asaj i është dhënë vetëm roli dytësor në planifikim e vizitës.

Ndërkaq ne Maqedoni, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar ditë më parë se vizita e  kreut të Kishës Katolike Romake në Shkup, qytetin e lindjes së Nënë Terezës së Shenjtë, është historik si dhe bart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Lini Nje Koment