Michelle Obama vjen në shqip me “Të bëhesh”

Libri i shumëpritur i Michelle Obamës tashmë është shqipëruar. “Becoming”, apo “Të bëhesh” është një libër me shifra rekord shitjesh. Vetëm në Amerikë i ka kaluar të 10 milionët. Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shumë për të rrëfyer. E nis këtë rrëfim që në dëshirat e thjeshta të fëmijërisë e deri në të sotmen.

Me një jetë të mbushur me realizime, Michele Obama shquhet si një nga gratë ikona dhe sfiduese. Si e para grua afro-amerikane që u bë “Zonja e Parë” e SHBA-së ajo dha një kontribut të madh në krijimin e një Shtëpie të Bardhë mikëpritëse dhe gjithëpërfshirëse , si dhe vendosin të gjithë pushtetin e saj në shërbim të avokatisë së çështjeve të grave dhe vajzave në SHBA dhe kudo në botë. Në çdo moment ajo qëndroi përkrah bashkëshortit të saj teksa ai drejtonte Amerikën , edhe në momente të ngarkuara të tij, duke rritur dy vajza me këmbë në tokë.

Në autobiografinë e saj, fton lexuesit të hyjnë në botën e saj duke përjetuar përvojat që e kanë formuar që nga fëmijëria e saj në pjesën jugore të Çikagos, në vitet kur punonte si drejtuese e lartë, në përpjekje për të balancuar kërkesat që I parashtronte mëmësia dhe puna, kohës që kaloi në mjedisin më të famshëm në botë. Me një sinqeritet të thellë ajo përshkruan dështimet dhe zhgënjimet si personale ashtu dhe publike, duke përshkruar historinë e saj njëlloj si e ka jetuar, ashtu me shprehjet dhe fjalët e veta.

E ngrohtë, e ditur dhe zbuluese “BECOMING” do të jetë jetëshkrimi intim i një gruaje me shpirt dhe substancë, që i ka kaluar pritshmëritë dhe historia e saj na frymëzon të gjithëve.

“Të shkruaja BECOMING ishte një eksperiencë thellësisht personale. Për herë të parë më dha mundësinë të reflektoj ndershmërisht trajektoren e papritur të jetës sime. Në këtë libër unë flas për rrënjët e mia dhe se si një vajzë e vogël nga Çikago arriti të gjejë zërin e saj dhe të zhvillojë forcën e vet për t’u dhënë fuqi të tjerëve. Uroj që ky rrugëtim imi të frymëzojë lexuesin për të gjetur kurajën për t’u bërë ajo që ata dëshirojnë të bëhen– shprehet në një intervistë ekskluzive ish “Zonja e Parë” e Amerikës.

Mbase është një lloj mode që Zonjat e Para të shkruajnë libra. Kanë shumë për të thënë apo duhet ta bëjnë atë, për aq kohë sa dritat e projektorëve kanë shkëlqyer mbi to. E kjo, jo vetëm për shkak të burrave. Michele, të paktën nuk është ky rasti. Prandaj ajo rreket të na shpjegojë shpirtin e një gruaje revolucionare, plotësisht e zonja për të vënë forcën dhe zërin në shërbim të ideve të larta.

 

%d bloggers like this: