Meta nderon dëshmorët, ditë reflektimi për vendin

Kreu i shtetit Ilir Meta nderoi të rënët e Atdheut në një ceremoni homazh pranë Varrezave të dëshmorëve të Kombit, nga ku përcolli edhe mesazhin për për dialog e bashkëpunim mes forcave politike për të vënë në plan të parë interesat e vendit.

Me rastin e 5 Majit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, duke nderuar kujtimin, veprën dhe sakrificat sublime të të rënëve për Atdhe. Në një prononcim për mediat, Presidenti i Republikës, bëri apel që kjo ditë e shënuar të lexohet në dy dimensione.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, sepse është Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në radhë të parë. Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot” tha kreu i shtetit. Por presidenti tha gjithashtu se “kjo duhet të jetë ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe që të nderojmë vërtet ashtu siç duhet kujtimin e të gjithë atyre, që sakrifikuan për të ardhmen e Shqipërisë.”
Presidenti Ilir Meta është ndër mbrojtësit më të flaktë të kontributit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ai vazhdimisht është bërë pjesë e debateve rreth kësaj lufte duke gjykuar se ata që nuk njohin dhe përbaltin Lanc, janë mendjeshkurtër.

%d bloggers like this: