Vizitë historike/ Greqi-Maqedoni, urrejtja që po kthehet në dashuri

Vizitë historike/ Greqi-Maqedoni, urrejtja që po kthehet në dashuri

Për të parën herë që nga pavarësia e saj në 1991, Maqedonia e Veriut është vizituar këtë të martë nga një kryeministër grek. Kreu i qeverisë greke Aleksis Tsipras u prit nga homologu i tij Zoran Zaev, si miku i tij më i mirë dhe si mik i madh i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras, mbërriti të martën në Shkup në vizitën historike, e para, pasi Republika e Maqedonisë mori pavarësinë në vitin 1991, moment që përkon edhe me fillimin e konfliktit 27 vjeçar mes dy vendeve, që mori fund me Marrëveshjen e Prespës. Pas Prespës marrëdhëniet mes dy fqinjëve duken të normalizuara deri në miqësore. Për këtë u shpreh me mjaft entuziazëm edhe kryeministri Zaev gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me bashkëautorin e aktit të paqes mes dy vendeve.

“Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, po nënshkruajmë histori. Greqia ishte e para që nënshkroi protokolli. Gjatë këtyre ditëve Cipras ka bërë apel për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Sot republika jonë është mikpritëse e kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras. Kur të ktheheni pas do të shihni kohë të humbura, kur të shihni para do të shihni dy vende mike, të cilat me vendime të guximshme shkojnë para drejt ardhmërisë. Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i saj janë garanci për të ardhmen e dy vendeve”, tha Zaev duke bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshje për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar që sipas tij do të kontribuojë edhe më shumë për afrimin e qytetarëve të të dyja vendeve.
“Kjo vizitë historike është një shenjë e qartë për kontributin për një Ballkan të ri”, tha Zaev ndërsa e quajti homologun Tsipras, shokun e tij më të mirë dhe mik të madh të Maqedonisë.

Ndërsa Tsipras tha se po mundoheni të fitojmë kohën e humbur në marrëdhëniet dypalëshe. “Po përpiqemi të thellojmë bashkëpunimin dhe të lëmë anash urrejtjet. Kjo nuk do të jetë sukses vetëm për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë sukses për gjithë rajonin. Vizita ime është vizita e parë e një kryeministri grek. Kemi humbur shumë kohë, andaj duhet ta kompensojmë”, tha Cipras ndërsa vuri në dukje faktin se Greqia ishte vendi i parë që nënshkroi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Të dy kryeministrat folën edhe projekte të shumta në fushën e ekonomisë dhe çështjeve të tjera që burojnë nga marrëveshja, ku do të përqendrohen marrëdhëniet në vijim mes dy vendeve.
Delegacioni që shoqëronte Kryeministrin grek në Shkup përbëhej nga një grup i madh biznesmenësh pasi në kuadër të kësaj vizite do të zhvillohet edhe një forum biznesi mes dy vendeve.

Lini Nje Koment