Themeluesi i WikiLeaks/ Presidenti i Ekuadorit: Assange e përdori ambasadën për spiunim

Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange e përdori ambasadën e Ekuadorit në Londër si qendër spiunimi deklaroi kreu i shtetit ekuadorian Lenin Moreno. Ai gjithashtu bëri të ditur se vendimi I tij për revokimin e azilit politik të Assange nuk u ndikua nga asnjë shtet tjetër përveç sjelljes dhe shkeljeve të vetë themeluesit të ËikiLeaks. “Çdo përpjekje për të destabilizuar është një veprim i dënueshëm për Ekuadorin, sepse ne jemi një komb sovran dhe i respektueshëm për politikën e secilit vend. Ne nuk mund ta lejojmë shtëpinë tonë, shtëpinë që hapi dyert e saj, të bëhet një qendër spiunimi” u  shpreh Moreno. Gjatë fjalës së tij  presidenti ngriti edhe pretendimin se qeveria e mëparshme e vendit kishte krijuar lehtësira brenda ambasadës për t’ju dhënë mundësi shteteve të tjera të ndërhyjnë.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i avokates së  Assange Jennifer Robinson,  e cila përveçse i kundërshtoi këto pretendime i cilësoi edhe akuzat tejet të rënda. “Mendoj se Ekuadori ka bërë disa akuza mjaft të rënda gjatë ditëve të fundit për të justifikuar veprimin  i tij të paligjshëm dhe të jashtëzakonshëm, lejimin e policisë britanike për arrestimin brenda në ambasadë të Julian Assange”, pohoi avokatja. Assange, 47 vjeç, mund të përballet me burgim deri në 12 muaj, pasi u shpall fajtor për shkeljen e kushteve me të cilat kishte hyrë në ambasadën e Ekuadorit në vitin 2012.

Themeluesi i WikiLeaks  tani pritet të luftojë kundër ekstradimit në SHBA pasi autoritetet amerikane e akuzuan për komplot pasi ai së bashku me ish-analisten e zbulimit ushtarak, Chelsea Manning hynë në një kompjuter qeveritar të klasifikuar.

Lini Nje Koment