Themeluesi i WikiLeaks/ Julian Assange dy kërkesa ekstradimi, Ekuadori tërhoqi azilin pas sjelljeve fyese të tij

Menjëherë pas arrestimit të themeluesit të WikiLeaks Julian Assange Washingtoni ka kërkuar nga Britania respektimin e traktatit të ekstradimit pikërisht atë që Assange tentoi t’i shmangej me qëndrimin e tij prej shtatë vitesh në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Sipas avokatit të të drejtave të njeriut në Britani Shoib M Khan themeluesi i WikiLeaks me shumë gjasa do të përfundojë në Shtetet e Bashkuara për t’ju nënshtruar marrjes në pyetje rreth veprimtarive të organizatës së tij por kjo mund të marrë shumë kohë, muaj deri edhe vite. Referuar marrëveshjes së ekstradimit midis dy vendeve, Mbretëria e Bashkuar me patjetër duhet ta respektojë. Por përveç ekstradimit arrestimi i Assanga ka shtuar edhe presionin ndaj prokurorisë suedeze për rihapjen e çështjes së sulmit seksual për të cilin akuzohet themeluesi i WikiLeaks dhe nëse kjo ndodh atëherë Britania do të gjendet mes dy kërkesave për ekstradimin e Julian Assange. Fundi dramatik i azilit politik të Assange ka ndezur jo pak kureshtjen në mbarë botën.

Por sipas presidentit ekuadorian Lenin Moreno vendimi për tërheqjen e azilit politik të themeluesit të WikiLeaks lidhet pikërisht me sjelljen e tij gjatë qëndrimit në ambasadë ku nuk kanë munguar ngacmimet fizike ndaj kujdestareve të tij, ndotja e ambienteve ku ishte strehuar dhe fyerjet ndaj shtetit të ekuadorit. “Ne e kemi tërhequr azilin e atij mosmirënjohësi dhe nga tani do të jemi më të kujdesshëm në dhënien e azilit njerëzve që janë me të vërtetë të vlefshëm dhe jo hakerëve të mjerë, qëllimi i vetëm i të cilëve është të destabilizojnë qeveritë”, deklaroi gjatë fjalës së tij presidenti I Ekuadorit Lenin Moreno. Julian Assange i njohur si themeluesi i organizatës mediatike jo fitimprurëse strehohej në ambasadën e Ekuadorit në Londër që prej 7 vitesh që pas akuzave për sulm seksual në Suedi.

%d bloggers like this: