Shtyhet Brexit/ BE- dhe Britani pajtohen për një vonesë 6-mujore deri në 31 tetor

Pas pesë orë bisedimesh udhëheqësit e Bashkimit Europian janë pajtuar me Britaninë e Madhe për një shtyrje gjashtë mujore  të Brexit deri më 31 tetor duke shmangur në këtë mënyrë largimin  pa një marrëveshje të Mbretërisë së Bashkuar nga blloku me 12 prill. Pas përfundimit të samitit të jashtëzakonshëm ka qenë Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk i cili deklaroi se kursi i veprimit tani është tërësisht në duart e Britanisë dhe se ajo mund të tërhiqet që momentin e parë që do të arrijë një marrëveshje qoftë edhe përpara 31 tetorit. “Më lejoni të përcjell një mesazh për miqtë e mi britanikë. Kjo zgjatje është aq fleksibël sa e prita, mbase edhe pak më e shkurtër sa ajo që unë sugjerova por e mjaftueshme për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ndaj ju lutem mos humbisni kohë”  këshilloi Tusk. Ndërsa kryeministrja Theresa May e cila dëshiron një vonesë më të shkurtër  ende synon një largim  sa më shpejt të jetë e mundur. Pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë zonja May bëri të ditur se ndjen keqardhje për shumë njerëz që janë zhgënjyer nga pamundësia për tu larguar në datën e paracaktuar nga Bashkimi Europian dhe për mosarritjen e një kompromisi me parlamentin e saj. “Unë nuk pretendoj se javët e ardhshme do të jetë e lehtë, ose ka një mënyrë të thjeshtë për të thyer bllokimin në Parlament. Por ne si politikanë duhet të gjejmë një mënyrë për të përmbushur vendimin demokratik të referendumit të Brexit në mënyrë që ta çojmë vendin tonë përpara pasi asgjë nuk është më jetike se kjo.  Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker e cilësoi një zgjidhje evropiane në Britani që ngjan e çuditshme por sipas tij rregullat janë rregulla dhe duhet të zbatohen. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron e ka vlerësuar si zgjidhje të mirë zgjatjen gjashtë mujore të Brexit. Tani Britanisë i duhet të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe nëse se bën këtë atëherë duhet të largohet me një qershor. Këshilli Europian përsëriti sërish se nuk do të ketë rihapje negociatash për marrëveshjen e tërheqjes. Tani kryeministres May i mbetet vetëm të nis sërish bisedimet me kundërshtarët laburistë pas pushimit të Pashkëve.

%d bloggers like this: