Shqipëria digjet, gamilet bëjnë xhiro në Katar

Shqipëria digjet, gamilet bëjnë xhiro në Katar

EDITORIAL/ NGA ALFONS ZENELI

Shqipëria e këtyre 5 viteve të fundit ka bërë regres të dukshëm, të monitorueshëm e të faktuar edhe nga ndërkombëtarët. Teknika propagandistike e justifikimit duke përdorur si alibi deklaratat formale të ambasadave dhe misionarëve po zhvlerësohet çdo ditë e më shumë nga praktika dhe zhvillimi konkret i ngjarjeve. Nga njëra anë kemi deklarata kozmike të tipit ”Shqipëria ka bërë progres mahnitës” dhe nga ana tjetër kemi largim gjithnjë e më të madh nga data e fillimit të negociatave e shoqëruar kjo dhe me rritjen e nivelit të skepticizmit tek vendet anëtare. Po të pyesësh ambasadorin holandez se çfarë mendimi ke për qeverinë, menjëherë do të kemi shpërthim deklaratash si llampa krishtlindjesh mbi arritjet dhe progresin e jashtëzakonshëm në reformën për drejtësi, luftën kundër krimit, kultivimit e tregtimit të lëndëve narkotike. Mirëpo po të shikosh reagimin e parlamentit dhe politikës holandeze, dritat e krishtlindjeve deklarative shuhen, pema thahet, neve na del efekti hashashit dhe befas shohim se nuk gjendemi afër Evropës por në një rrugicë të humbur diku nga Dajti, pa asnjë perspektivë. Mirëpo, qeverisë dhe falangave digjitale të brigadier Fugës, nuk iu hyn në punë realiteti i rajasë. Ata ulen në kolltukun e tyre të gjithë bashkë dhe masturbojnë kolektivisht duke parë pornografi informative në ERTV me shpresën se kështu do të ngjizin fëmijë suksesesh në arenën ndërkombëtare. Rama, tani ka hyrë në fazën përfundimtare të autosugjestionimit. Tashmë ai i beson dhe vetë si aksioma gjithë lajmet që po vetë ua bën tekstin e urdhëron të transmetohen në ERTV. Sa herë që kthen kokën nga ai ekran, i zhbëhen menjëherë si me magji të gjitha ”gënjeshtrat” dhe ”shpifjet e ndyra” se gjoja Shqipëria është bërë baza kryesore operacionale e karteleve të drogës, se është vendi më i varfër i rajonit dhe se gjoja i vetmi përparim që kemi bërë është kalimi nga pabuksa që mbillnim kanabis në menaxherë kokaine. Për Ramën, Shqipëria e rrënuar është thjesht një mirazh të cilin ia shkaktojnë bezdisjet e kadripopullit dhe medieve, Shqipëria e vërtetë për të është ajo që transmeton ERTV-ja. Kjo është receta e lumturisë: seanca masazhi psikologjik me pamje rilindjeje.  Ndërkohë atdheu vazhdon në rënie të lirë.  Por ka dhe informacion qe vjen në rrugë operative. Ka ndodhur gjë në Shqipëri? A është i lumtur populli? Po, i përgjigjen gjithë alegri si kor kishe dr. Taulanti, dr. Ulsi dhe kineastja Elisa Sipopali. Se përndryshe nuk ka mundësi që gjatë kohës që qytetaret rrihen me shpulla, terrorizohen, helmohen me gaz, flaken nga shtëpitë dhe tallen e poshtërohen, ”Surrel Pasha”  i hipën gamiles dhe bën safari në Katar. Mirë popullin tonë që është pa asnjë hall, po atë francezin si e braktisi në këto ditë të vështira. Aq më tepër që parizienët presin aq shumë nga mrekullitë e tij mahnitëse. Por siç duket, agjenda e Katarit duhet të ketë qenë shumë e rëndësishme dhe jetike për fatin e shqiptarëve. Meqë kish marrë me vete Gjush Dakon, le të kish marrë dhe Veliajn e të nënshkruanin ndonjë kontratë për të importuar ujë se mbase prej andej na del me kosto më të ulët. Në fakt, Rama nuk është kthyer pa gjë. Ka nënshkruar nja 2 marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme për integrimin. Pasi t’ia bëjë të ditur opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar këto marrëveshje, ka shumë gjasa që holandezët të ndërrojnë mendje dhe më në fund gjërat të shkojnë fiks ashtu siç i ka parashikuar grupi i doktorëve të rilindjes. Megjithatë, të gjitha këto sa thamë më lart, mund të bien e të shkërmoqen të gjitha para pyetjes fatale: Gjush Dakon pse e kish marrë në Katar?

Lini Nje Koment