Rreziku për Shqipërinë/ Maqedonia e Veriut mbërthehet nga epidemia e fruthit

Rreziku për Shqipërinë/ Maqedonia e Veriut mbërthehet nga epidemia e fruthit

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë shpallur gjendjen e epidemisë pas rasteve të shtuara me ritme të shpejta të të prekurve me fruth. Pas reduktimit të numrit të të prekurve në vendin tonë,  afërsia gjeografike dhe komunikimi i ndërsjellë në qarkullim me vendin fqinj, rrezikojnë edhe një herë përhapjen e sëmundjes virale në Shqipëri.

Epidemia e fruthit ka mbërthyer gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Vetëm gjatë javës që lam pas, në shtetin fqinj janë regjistruar të paktën 70 raste të reja të të sëmurëve me fruth, ndërkohë që autoritetet mendojnë se ekzistojnë dhjetëra raste të tjera ende të paindentifikuara.

Sipas qendrës kombëtare të shëndetit publik, Struga është qyteti me numrin më të lartë të të prekurve ku u shpall fillimisht gjendja epidemike, por shumë shpejt sëmundja virale është përhapur edhe në qendrat e tjera të mëdha urbane.

Sipas epidemiologëve gjendja është pasojë edhe e shumë rasteve të mosvaksinimeve dhe u bëjnë thirrje, sidomos prindërve  të vaksinojnë fëmijët e tyre

Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik tregon se 7 prej rasteve të të prekurve me fruth janë në gjendje kritike për jetën.

OBSH raporton se numri i rasteve të fruthit në mbarë botën në tre muajt e parë të vitit 2019, është trefishuar në krahasim me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Situata epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut rrezikon të përfshijë edhe vendin tonë, referuar afërsisë gjeografike mes dy vendeve dhe komunikimeve intensive në qarkullim të ndërsjelltë.

Gjatë tre muajve të fundit numri i të prekurve nga sëmundja virale në vendin tonë zyrtarisht përllogaritej në mbi 100 persona që i përkasin kryesisht grupmoshës 1-3 vjeç, ndërkohë që tre persona mbeten të vdekur.

Lini Nje Koment