Papunësia e të rinjve/ Floida Kërpaçi: Edi Rama po largon të rinjtë nga Shqipëria

Papunësia e të rinjve/ Floida Kërpaçi: Edi Rama po largon të rinjtë nga Shqipëria

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi akuzon qeverinë që ka lënë pas dore rininë. Në një dalje për mediet, Kërpaçi duke iu referuar raportit të ILOS shprehet se tani i përket rinisë të bëjë Shqipërinë ‘shtëpi’.

“Dëshmia e vërtetë që qeveria e ka lënë pas dore rininë. I ka vrarë shpresën. Brezi i ri duhet të ketë arsim cilësor. Kësaj qeverie që mbështet bandat i ka ardhur fundi. Tani i përket rinisë ta bëjë Shqipërinë, shtëpinë tonë”,- u shpreh ajo.

Deklarata e plotë:

Papunësia e të rinjve është shkaku kryesor që po largon të rinjtë nga Shqipëria, thënë troç që po i përzë të rinjtë nga vendi ynë dhe përgjegjësi kryesor është Edi Rama.

Raporti i Organizatës Botërore të Punës ILO, një nga institucionet më të rëndësishme dhe autoritare në botë raporton shifrën tragjike ku Shqipëria mban vendin e parë për papunësinë dhe mos ofrimin e arsimit cilësor.

Asnjë shpresë nuk ka për të rinjtë shqiptarë. Asnjë strategji nuk ka për punësimin e tyre. Asnjë politikë mbështetëse nuk ka për arsimimin e trajnimin e tyre në të gjitha nivelet.

Përkundrazi ka vetëm e thjesht demagogji që thellon krizën e rëndë të të rinjve shqiptarë.

Ka disa pyetje të pakapërcyeshme që kërkojnë përgjigje: Ku janë 300.000 vendet e punës që premtuan?

Ku është karta e studentit? Ku janë 8 kërkesat e studentëve? Ku është shëndetësia falas?

Përgjigja për këto pyetje është :

Qeveria ka bërë zero investime, zero arritje, zero shpresë dhe zero lekë për buxhetin për rininë.

Gjithçka ka qenë mashtrim dhe propagandë, dëshmi e vërtetë se qeveria e ka lënë pas dore rininë, i ka vrarë shpresën dhe i ka imponuar vetëm emigrimin larg atdheut.

Raporti i ILO është një akuzë e qartë për të cilin nuk mund të ketë asnjë justifikim.

Boll më! Kjo tragjedi duhet të marrë fund! Brezi i ri, duhet të ketë arsim cilësor, punësim të mirë paguar dhe shanse të barabarta. Kësaj qeverie që mbështet kriminelët dhe bandat i ka ardhur fundi!

Tani është koha e rinisë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë!

Lini Nje Koment