Orët e Brexit/ Çfarë mendojnë liderët europianë një ditë para samitit që vendos fatin e Brexit?!

Teksa kanë nisur orët finale të Brexit, fati i Britanisë tanimë qëndron në duart e udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian të cilat do të vendosin nesër në Bruksel. Edhe njëherë Theresa May do të jetë pjesë e samitit të jashtëzakonshëm të Këshillit Europian teksa homologët e saj diskutojnë dhe vendosin për një shtyrje ose jo të Brexit ku sipas vendimit të  takimit të fundit me 21 dhe 22 mars Britania e madhe duhet të lirohet nga unioni të premten me 12 prill pa një marrëveshje. Disa orë përpara samitit mësohet se diskutimet do të përqendrohen në kushtet dhe kohëzgjatjen e granteve të Mbretërisë së Bashkuar. Pasi ashtu si May edhe Bashkimi europian nuk dëshiron një dalje të çrregullt dhe kaotike këtë javë, por shumë politikanë shohin një Britani toksike e cila po infekton bllokun. Ndërsa Theresa May me vizitat e saj të minutës së fundit në Gjermani dhe Paris përpiqet të fitojë mbështetjen e dy prej lojtarëve kryesorë të unionit lidhur me kërkesën e saj për një tjetër vonesë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka rgumentuar gjatë arritjen e një marrëveshje reciproke, teksa ka daklaruar se nuk do të lejojë që vonesat e Brexit të minojnë zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj pasi për të përparësi ka integriteti i institucioneve të bllokut. “Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për të shmangur një Brexit të vështirë, por ne duhet ta bëjmë atë së bashku me Britaninë” deklaroi Merkel. Nga ana tjetër presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë i qartë në qëndrimin e tij se Bashkimi Europian nuk mund të mbahet peng për një kohë të gjatë nga kriza politike e Mbretërisë së Bashkuar. Pasi Parisi po irritohet gjithnjë e më tepër me ngërçin e Brexit. Por me apelin e May  për më shumë kohë është bashkuar edhe kryeministri irlandez Leo Varadkar i cili nuk dëshiron në asnjë mënyrë të shohë një brexit pa marrëveshje. Pavarësisht dëshirës së kreut irlandez homologu i tij nga Hollanda  Mark Rutte duket pesimist pas përpjekjeve të brendshme të dështuara të britanikëve për arritjen e një kompromisi. Ndërsa kryenegociatori i Bashkimit Europian për Brexit Michel Barnier refuzon të ketë një kontribut të drejtëpërdrejtë në vendimin e unionit ndaj Mbretërisë së Bashkuar. Këtë të martë ai nënkuptoi se çelësi për një zgjatje më të gjatë të nenit 50 është aderimi i Britanisë në një bashkim doganor me bllokun. Kjo pasi Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk rekomandoi një zgjatje një vjeçare të Brexit. Raporte të tjera sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar mund të qëndrojë në unioni derisa të jetë gati të largohet por pa u përfshirë në emërimet e reja dhe negociatat për buxhetin e ardhshëm.

%d bloggers like this: