Moska për dialogun: Njohim vetëm marrëveshjen që i shërben Serbisë

Kumbara e përjetshme e Serbisë, Rusia, kërcënon se çdo marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit që nuk do të jetë në shërbim serbëve, nuk do të njihet prej saj. Për shefin e politikës së Jashtme Sergei Lavror është Kosova ajo që po provokon  Serbinë, ndaj u bëri thirrje SHBA dhe BE të ushtrojnë ndikimin e tyre tek liderët e Kosovës për të frenuar këtë politikë, sipas tij konfliktuale.

Moska nuk do të pranojë asnjë marrëveshje Prishtinë -Beograd, nëse nuk i përshtatet Serbisë dhe ky është qëndrim përfundimtar. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun serb, Ivica Daçiç, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Rusi, bëri të ditur se Moska mbështet dhe do të kontribuojë për gjetjen e një zgjidhjeje por në fund do të mbështesë atë që i vjen më për shtat interesave të Serbisë. Shefi i diplomacisë ruse bëri thirrje për zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që nxit  edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjithashtu ai kërkoi të respektohet edhe integriteti territorial i Serbisë.

Në vlerësimin e Rusisë, është Kosova ajo që po i bie në qafë Serbisë, ndaj Lavrov tha se është përgjegjësi e SHBA dhe Evropës të ndikojnë te liderët e Kosovës të ndalin politikën e tyre provokuese dhe konfrontuese.

Siç tha Lavrov pjesë e bashkëbisedimit me Daçiç ishte edhe takimi mes presidentit rus, Vladimir Putin me atë serb, Aleksandar Vuçiç, që pritet të mbahet nga data 25-27 prill në Kinë, në kuadër të forumit “Brezi dhe rruga”.

Sipas Ministrit të jashtëm të Serbisë, kjo e fundit nuk mund të bëjë përpara pa mbështetjen e kumbarës së përhershme, Rusisë.  “Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim sa i përket ecurisë së marrëdhënieve me Kosovën, pa u konsultuar më parë me Rusinë, tha Daçiç nga Moska.

Takimi mes dy presidentëve Putin e Vuçiç, do të mbahet vetëm dy ditë para atij të Berlinit të thirrur nga kancelarja Merkel e Presidenti Macron, ku udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, konkretisht kryeministrat dhe kryetarët e shteteve do të ulen në tryezë, për të parën herë nën një dirigjim jo nga Zyrtarja e lartë e BE-së Federika Mogherini, edhe pse është ftuar të jetë e pranishme.

Lini Nje Koment