May në Europë/ Britania apel Gjermanisë dhe Francës për shtyrjen e Brexit

Vetëm tre ditë përpara largimit të Britanisë nga blloku kryeministrja Theresa May ka nisur takimet me liderët europiane. Këtë të martë May është takuar me kancelaren gjermane Merkel teksa i ka kërkuar mbështetje për shtyrjen e Brexit deri më 30 qershor. Pas vizitës në Gjermani May do të fluturojë drejt Francës për t’u takuar me presidentin Emmanuel Macron dhe për t’i kërkuar edhe atij suport për zgjatjen e kohës së largimit të vendit nga unioni. Kryeministrja britanike ka nisur këtë tur takimesh disa orë përpara samitit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Europian që do të mbahet të mërkurën, ku të gjitha shtetet anëtare të bllokut do të votojnë për një zgjatje të mëtejshme ose jo të Brexit. Ndërsa në Britani vijojnë bisedimet ndërpartiake me synim arritjen e një kompromisi në mënyrë që vendi të mos largohet nga blloku pa një marrëveshje. Ka qenë Kancelari Philip Hammond që ka bërë të ditur se po bën të pamundurën për bindjen e ekipeve negociuese për zgjerimin e bisedimeve pasi deri më tani Mbretëria e Bashkuar është e detyruar të largohet nga BE të premten me 12 prill në orën 23. Kjo pasi deputetët britanikë  kanë hedhur poshtë tre herë marrëveshjen e tërheqjes së May të arritur me europianët vitin e kaluar pas kontestimit të kthimit te kufirit irlandez. Ndërsa Bashkimi Europian ka bërë të qartë qëndrimin e tij se nuk do të pranojë asnjë ndryshim në paktin e arritur mes dy palëve.

%d bloggers like this: