Hasan Riza beu

Nga Indrit Vokshi

Isha në Shkodër dje dhe fotografova atë si lapidar i ngritun për nder të Hasan Rizës.
Çfarë di unë për Hasanin? Ishte ushtarak me origjinë irakiene (thonë) dhe u pru në Shkodër kur po frynin erna lufte me Malin e Zi. Ishte shkolluar për këmbësori në shkollën gjermane. (Shkolla prusiane e këmbësorisë mund të jetë shkolla më elitare në botë. Rusia ka pas shkollën prusiane, madje edhe Kili)

Edit Durhami e tregon butal Hasan Riza beun. I vrau ushtarët që donin të largoheshin. Kur u bë vali i Shkodrës nuk ndërtoi asnjë vepër publike, ndërtoi vetëm fortifikata për luftë. Për mbrojtjen e Shkodrës.

Situata ishte totalisht kaos. Malsorët nisin kryengritje për mbrojtjen e të drejtave sepse xhonturqit po ndiqnin një politikë shkatërruese të unifikimit. Donin t’i bënin të tjerët osmanë me zor. Po nuk mund ta bëje ketë në 1910-ën kur nacionalizmat kishin përparuar. Ndaj malsorët ngritën krye.

Preng pasha i Mirditës ishte anëtar i “Itihad ve Teraki” komitetit “Bashkim e Përparim” të xhonturqve dhe e la Shefqet Turgut pashën të kalonte. Shefqeti ndejti 19 ditë në Orosh. Edhe po të donte ndoshta nuk mund ta ndalonte por mirditorët dhe jo vetëm, mallkonin Preng pashën sepse kur pasha u fut në Malsi i masakroi të gjithë. Mirditorët donin edhe ata kryengritje dhe nisën të dyshojnë keq tek Preng pasha. Në Malsi Shefqet pasha iu dogji shpiat, iu shkaktoi katastrofë humanitare dhe i detyroi të largohen në Mal të Zi. Mali i Zi i përdori keqazi për interesa të vetat. Të shkretët donin vetëm të ktheheshin në shpi por me garanci europiane ngaqë nuk iu besonin më turqve. Ata u kthyen.

Në ketë dritë të konfliktit dhe të përçarjes e të mosbesimit tek politika, të varfërisë e të korrupsionit sheshit, zhvilloheshin ngjarjet në Shkodër. Krajl Nikolla i Malit të Zi vizitoi Rusinë. Hasan Riza fortifikonte Shkodrën. Në Shkodër mbrrin Esad pashë Toptani, pasha i fuqishëm tiranas i cili vrau djalin e kryeministrit të perandorisë dhe me 1908 shkoi i tha Sulltan Abdul-Hamidit II; “Kombi të ka rrzu prej froni”.

Sulltan Rreshad Mehmedi V nuk kishte forcë. Ishte kukull i emrum prej komitetit Bashkim e Përparim. Sepse pas 1908 perandorinë e drejtonin Komiteti dhe Mahmud Shefqet pasha, ministri i luftës. Sulltan Reshadi erdhi në Kosovë për t’i paqtuar kosovarët, ndaluar kryengitjen dhe shuar mllefin e madh që kishte shkaktuar kryeministri Said Halim pasha me ekspeditat ndëshkimore kundër Kosovës.

Mali i Zi me mbështetje të Rusisë e jo pak të Italisë synonte Veriun, Shkodër e Prizren.

Me 8 tetor 1912 Mali i Zi i shpall luftë Perandorisë Osmane dhe trupat malazeze nisen për Shkodër. Hasan Riza deklaron se Shkodra mund të jetë varri ynë por kurrsesi turpi ynë. Nis lufta.

Pasha plak Mahmud Hajret Jella niset me ushtri prej Berati për t’i ardhur në ndihmë Shkodrës. Mposhtet në Myzeqe nga trupat serbo-bullgare. Beu i ri Ahmed bej Zogu 17 vjeçar nga Mati niset me 2000 ushtarë në ndihmë të Shkodrës. Mposhtet keq nga serbo-malazezët më Kakarriq të Lezhës. Shkodra rrethohet. Hasan Riza vritet me atentat. Mbrojtja e Shkodrës i kalon Esad pashë Toptanit i cili e mbron edhe gati tre muaj. Shkodra dorëzohet. Princi Danillo hyn më Shkodër. Pastaj malazezët detyrohen të dalin dhe Shkodra i mbetet Shqipërisë.

Hasan Riza le amanet t’i dërgohet familja në shpi. Ky ishte një komandant turk i cili dha jetën që Shkodra të mos merrej nga serbo-malazezët. Prandaj dje sapo kalova aty e fotografova lapidarin e ngritun për të.

%d bloggers like this: