Dhuna te Bregu i Lumit, reagon ashpër Lulzim Basha

Dhuna te Bregu i Lumit, reagon ashpër Lulzim Basha

Kryetari Lulzim Basha reagon pas dhunës se policisë ndaj qytetarëve shqiptare këtë të mërkurë në Bregun e Lumit, ku u zhvillua aksioni për shembjen e 17 shtëpi për t’i hapur rrugë ndërtimit të segmentit të fundit të Bulevardit të Ri.

Në një koment në profilin zyrtar Basha tha se dhunuesit që shqiptarët panë sot duke rrahur një grua të dëbuar me forcë nga shtëpia e saj, dhe duke goditur përfaqësuesit e opozitës në mbështetje të banorëve te dëbuar janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës.

Basha hodhi akuza ndaj kreut të komisariatit numër 4 i cili u pa të dhunojë një grua në këtë zonë dhe video u publikua gjerësisht në media.

“Dhunuesi i zonjës tek Bregu i Lumit është shefi i komisariatit 4, Agim Hoxha, një bandit me uniformë, që ka dhunuar më parë edhe qytetarët dhe përfaqësueset gra të opozitës”, nënvizon kryedemokrati.

Për Bashën, dhunuesi tjetër është fytyra e Erion Velisë në Policinë Bashkiake, që ka rrahur dhe dhunuar më parë edhe gjyshet që shesin prodhimet e bahçes për të mbajtur frymën gjallë si dhe shumë qytetarë të pambrojtur.

“Edi Rama nuk mund ta mbajë më pushtetin e tij të paligjshëm veçse duke përdorur dhunën: dhunë kundër qytetarëve, dhunë kundër gazetarëve, dhunë kundër kundërshtarëve politikë, dhunë kundër Kushtetutës. Dhunë ndaj kujtdo që i tregon ligjin Edi Ramës, qoftë ky artist që mbron teatrin, qytetar që mbron shtëpinë apo opozitar që mbron të drejtat e qytetarëve”, tha ai.

Në përfundim të komentit të tij i cili shoqërohet me publikimin e momentit ku shefi i komisariatit 4 ushtron dhunë ndaj një zonje Basha bëri një thirrje.

“Thirrja ime për çdo shqiptar është të qëndrojmë në këmbë! Të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur për t’i dhënë fund dhunimit të Shqipërisë nga një grup banditësh me pushtet të vjedhur e të blerë me krimin. Së bashku do të bëjmë të mundur që dhunuesit e shqiptarëve, nga Edi Rama deri tek banditët me uniformë, të japin llogari para ligjit për çdo padrejtësi!”

 

Lini Nje Koment